Qytetërimi grek dhe ai romak themeluan jetën e tyre ekonomike dhe politike në det dhe lumenj. Edhe për këtë arsye aktivitetet ujore u përhapën shumë dhe noti u konsiderua aq i domosdoshëm për formimin e të rinjve, saqë paaftësia në këtë disiplinë konsiderohej si një lloj analfabetizmi.
Noti në luftë
I vetmi burim që dokumenton faktin se noti mësohej në shkollën ushtarake është mjaft i vonë (IV-V pas Krishtit). Bëhet fjalë për Flavio Vegezio, i cili i detyronte këtë aktivitet të gjithë rekrutëve. Gjithsesi, janë të ndryshëm elementët që provojnë rëndësinë e notit në luftë; kështu siç përshkruhet nga burime të shumta historike, prania e notarëve ekspertë për misione taktike në rradhët e ushtrisë greke ishte një gjë shumë e zakonshme. Herodoti, Pausania dhe Plinio edhe pse në mënyrë emfatike, kanë bërë të pavdekshëm veprat e zhytësit më të famshëm të antikitetit, Scillia nga Sicione. Ky, në bashkëpunim me të bijën, Hydna, gjatë luftës greko-persiane preu litarët e spirancave të anijeve persiane pak para se të niste stuhia, duke shkatërruar shumicën e tyre.
Tukididi tregon se në rastin e rrethimit të Pilos, kryer nga athinasit – gjatë luftës së Peloponezit – spartanëve të ishullit i'u garantua mbështetje falë zhytësve, të cilët transportonin ushqimet nën ujë. I njëjti historian tregon se gjatë ekspeditës athinase në Siçili, banorët e Sirakuzës për të penguar ankorimin në port të anijeve greke vendosën përgjatë bregdetit, në thellësi të ndryshme, një seri trungjesh. Athinasit ia dolën të shmangnin përplasjen e anijeve të tyre, hoqën trungjet e dukshëm, ndërsa për të padukshmit paguan zhytës, që i sharruan ato.
Gjatë luftës së dytë maqedonase, në shekullin e II para Krishtit, mbreti i Pella-s i frikësuar nga avancimi i shpejtë i romakëve urdhëroi hedhjen në det të të gjitha thesareve të qytetit; pasi rreziku kaloi u arrit rikuperimi i gati të gjitha pasurive, duke përdorur zhytësit. Në disa raste noti ishte mënyra e vetme për të shmangur rreziqe të papritura e deri edhe vdekjen. Për shembull, gjatë pushtimit të Mesinës nga ana e Kartagjenës (404 para Krishtit), disa persona që nuk arritën të strehoheshin në malet përreth, u hodhën në det në një tentativë ekstreme për të shpëtuar. Nga këta, më shumë se 200 u mbytën nga rrymat e forta të ngushticës, por 50 arritën të dilnin në brigjet kalabreze.
Ndryshe nga helenët, pjesa më e madhe e popujve që grekët i konsideronin “barbarë”, nuk dinin të notonin dhe kjo mangësi u kushtoi shtrenjtë në disa raste. Herodoti përfshin mes shkaqeve të epërsisë athinase ndaj persëve dhe aleatëve të tyre, faktin se në betejën e Salaminës, kur një anije greke mbytej, ekuipazhi ishte në gjendje të arrinte në breg me not; përkundrazi, shumica e barbarëve vdiste pa mundur të bënte të njëjtën gjë. Trakët për shembull gjatë luftës së Peloponezit, pasi shkatërruan Micalesso-n në Beozia, duke mos ditur not pësuan humbje të shumta gjatë rikthimit në anije.
Në botën romake, veprat e jashtëzakonshme të Scillia-s nga Sicione dhe bijës së tij Hydna u përseritën, në traditën legjendare, nga Horacio Coelite dhe nga Clelia. Në mënyrë analoge, në shumë raste, personazhe epike dhe historike arritën të shpëtonin falë notit. Çezari sjell një dëshmi të rëndësishme për përdorimin e notit në luftë, kur tregon për zbarkimin e rrezikshëm të njerëzve të tij në Britani – ku ushtarët u detyruan të hidheshin në det nga anijet për të mbërritur në breg, atje ku i prisnin armiqtë. Të tjera informacione jepen nga Appiano që tregon për notarë-lajmëtarë në rastin e rrethimit të Numanzia.
Funksioni ekonomik i notit
Noti, veçanërisht zhytja, patën një rëndësi themelore për jetën ekonomike të shumë popullsive bregdetare, tek të cilët sektori prodhues u bazua në kërkimin e midhjeve, koraleve, perlave, sfungjerëve e pse jo edhe të pasurive ose objekteve të marra nga reliktet e mbytura prej luftrave apo stuhive. Kishte qytete që ishin të famshëm për kompetencën dhe aftësinë profesionale të zhytësve të tyre, kurajo e të cilëve lartësohet edhe nga Platoni; për më tepër është kthyer në proverb aftësia e zhytësve të Delos, siç dëshmohet në një paragraf të “Jetë” të Diogjen Laerzio, i cili ironizon veprën e filozofit Heraklit, përmbajtja shumë komplekse e të cilës kërkonte “ndihmën e një notari të Delos për të mos u mbytur”.
Peshkimi i molusqeve dhe iriqëve u përmend nga Homeri: por falë Filostratit dhe mbi të gjitha Oppiano-s kanë mbërritur tek ne informacione më të detajuara mbi veprimtarinë e peshkatarëve nënujorë antikë. Zhytësit romakë, ashtu si dhe grekët, fituan një dinjitet të veçantë me krijimin e korporatës së “urinatores”, e përmendur në një mbishkrim mbi një pllakë mermeri në të cilën flitet për “corporazioni piscatorum et urinatorum alvei Tiberis” (që pastronin lumin Tevere të Romës). Një korporatë e “urinatores”, padyshim e lidhur me aktivitetin portual, është përmendur edhe në Ostia nga dy mbishkrime, një nga të cilat flet për dedikimin e bërë nga zhytësit ostiensë për perandorin Antonino Pio. Siç tregon Cassio Dione, “urinatores” merrnin pjesë edhe në luftë; por detyra e tyre ishte lidhur mbi të gjitha me trafikun e dendur tregtar përgjatë lumi Tevere ose porteve të tjerë: pastrimi nga të gjitha pengesat e krijuara nga përmbytjet të shpeshta të lumenjve dhe rikuperimi i mallrave të rëna aksidentalisht në ujë gjatë ngarkim-shkarkimit. Veprimtaria e fundit është cituar në Digesto, që përmend kërkimin dhe rikuperimin nga ana e “urinatores”, të mallrave të hedhura në det për të lehtësuar anijen në kohë stuhie. Mes detyrave dytësore të zhytësve romakë ishte përfshirë edhe pastrimi i puseve, çisternave, kanalizimeve etj.
Për t'u zhytur sa më shpejt dhe për të shtuar kohën e qëndrimit nën ujë, sot përdoren lopatat dhe breza me pllaka plumbi. Në atë kohë, përkundrazi, përdoreshin pesha të rënda të lidhura në një litar në të cilin mund të lidhje edhe mallrat e rikuperuara. Aristoteli shkruante: “Disa zhytës, kur futen në thellësi pajisen me një aparat për të marrë frymë, me anë të të cilit mund të thithin ajrin e sipërfaqes, ndërkohë që qëndrojnë për një kohë të gjatë nën ujë. Natyra e ka pajisur elefantin me diçka të ngjashme duke i falur një hundë të gjatë…”. Kjo dëshmon ekzistencën e një aparature që mund të konsiderohet një paraardhëse e “snorkel (periskopit)” modern. Nuk dihet si funksiononte praktikisht, por me shumë mundësi ishte një tub me gjatësi të reduktuar, që dilte në sipërfaqe, pasi për shkak të shtimit të presionit nën ujë, rritet nevoja për ajër.
Nuk mund të përcaktohet as se çfarë funksioni kishte vaji, i përdorur gjatë zhytjeve, për të cilat flet Oppiano. Sipas Aristotelit, Plinio-s dhe Plutarkut, vaji shërbente për të rritur shikueshmërinë nënujore dhe për të qetësuar detin. Gjithsesi, siç kanë treguar disa teste, vaji nuk përmirëson shikueshmërinë jo vetëm nënujë, por edhe nëse përhapet në sipërfaqe të ujit. Me shumë mundësi zhytësit hidhnin vaj në det për të “qetësuar” valët. Në fakt, meqë viskoziteti dhe tensioni sipërfaqësor i lëngjeve organike është më i lartë sesa ai i ujit, është e mundur të arrihet reduktimi i valëve dhe dallgëve të vogla duke krijuar një shtresë vaji uniforme në sipërfaqen e detit.
Mësimi, gara dhe teknika
Me shumë mundësi ekzistonin manuale për teknikat e notit, mbi të gjitha nëse merret parasysh fakti që Ovidi citon një poezi didaktike mbi këtë argument; por në mungesë të informacioneve të sakta, ka mundësi që, ashtu siç ndodh sot, leksionet e notit bëheshin nga miq ose prindër. Një konfirmim për këtë hipotezë na vjen nga Plutarku, sipas të cilit filozofi Catone i Vjetri ia mësoi vetë notin të birit, ashtu siç bëri perandori August me nipat.
Burime të shumta letrare vërtetojnë se në antikitet lumi Tevere ishte një palestër e vërtetë për të rinjtë, që i dedikonin shumë kohë notit. Pa dyshim që edhe në atë kohë për tu familjarizuar me notin ishin të domosdoshme disa pajisje për të mbajtur në pluskim notarët fillestarë.
Nëse përjashtohen “tyli i Leucotea-s” i përdorur nga Uliksi, lëkurat e kafshëve të mbushura me ajër dhe pajisje të tjera të ngjashme të përdorura në kushte të veçanta nga ushtarët, dëshmitë e vetme për mjete me qëllim didaktik të përdorura për të notuar janë ato të Plautit dhe Horacit. Në kundërshtim të dukshëm me botën e sotme, noti nuk ishte akoma konsideruar një sport për gara, bëjnë përjashtim këtu rastet e jashtëzakonshme. E vetmja garë për të cilën kemi informacion zhvillohej në qytetin e Ermiones në Peloponez, gjatë festimeve vjetore në nderim të Dionis Melanaigis. Edhe pse me pak rezerva, për shkak të mungesës së informacioneve të mëtejshme, mund të arrihet në përfundimin se disa gara shpejtësie organizoheshin në distanca të shkurtra në ujërat e qeta të deteve ose lumenjve. Gara fillonte nga pika e nisjes (balbis), e vendosur në breg, shkonte deri në pikën e kthesës (nyssa) dhe vazhdonte në anën tjetër të lumit ku ishte mbërritja (balbis).
Në botën greko-romake pati në fakt disa gara të përhershme që, ashtu si edhe sot, bëhen gati instiktivisht mes notarëve e për të cilat kemi dëshminë e Plinio-s. Ky i fundit pati rastin të shikonte sfidat e notit në koloninë romake të Ippona-s, që kishin si qëllim lënien pas të rivalëve duke notuar sa më larg bregut.
Padyshim greko-romakët duhet të kenë qenë të vetëdijshëm për potencialin e notit, i cili më mirë sesa çdo aktivitet tjetër fizik, garanton jo vetëm fortësinë e muskujve, por rrit kapacitetin e mushkërive dhe rezistencën trupore. Kështu noti nisi të përdorej si sport ndihmës dhe, siç konfirmon Filostrati, gjatë stërvitjes së boksierit Tisandro nga Naxos ishte parashikuar të notuarit në distanca të gjata.
Në mungesë të informacioneve më të sakta nuk është e mundur të përcaktohet me siguri cilët ishin stilet e të notuarit të njohura në antikitet. Gjithsesi një sërë dëshmish letrare dhe artistike na krijojnë mundësi të hedhim disa hipoteza. Për aq sa dimë, «stili i lirë» ose «kroli», rizbulimi i të cilit në kohët moderne i takon australianit Wickmann, ishte shumë i njohur nga notarët antikë në të gjitha variantet e tij, siç konfirmohet nga vizatimet në vazot antike, ose në mozaikun në llixhat e Neptunit në Ostia, ose në mitin e Leandros në afresket e gjetura në shtëpinë e Vetti në Pompei. Në vargjet e tij, poeti latin Ovidi përshkruan «stilin e lirë», duke folur për ngritjen e alternuar të krahëve. Në të njëjtën mënyrë Manilio, i cili bën një përshkrim të kujdesshëm dhe të detajuar të stileve të ndryshme, i referohet «krolit».
Deri në shekullin e XIX-të, teknika më e përhapur e të notuarit ishte ajo «bretkosë». Gjithsesi në botën greko-romake janë mjaft të pakta dëshmitë artistike dhe letrare që provojnë përhapjen e këtij stili. Mungojnë vizatimet që ilustronin mënyrën sesi greko-romakët konceptonin stilin «shpinë», për të cilin flasin Platoni dhe Manilio. Edhe pse nuk duhen konsideruar stile mendohet se ishin të njohur dhe të përdorur edhe «noti me një krah» dhe «not qeni». I pari përdoret kur noton duke mbajtur diçka me një dorë dhe u përdor ndoshta në Aleksandri nga Çezari për të shpëtuar disa kuti dokumentesh. I ashtuquajturi «not qeni», që sipas Ausonio përdoret nga notarët e paaftë, pikërisht sepse është instiktiv, ishte ndoshta «stili» i parë, që përdori në fillim njeriu për të lëvizur në ujë.
Rreziqet e notit
I vetmi tip noti i konsideruar i rrezikshëm nga greko-romakët ishte ai nënujor. Sipas shkrimeve të Oppiano, puna e peshkatarëve të sfungjerëve ishte «më e keqja dhe më e dhimbshmja për një njeri»; por ky opinion vlen për të gjithë veprimtarinë e zhytësve antikë, të cilët çdo ditë rrezikonin jetën e tyre, duke u përballur me kërcënimet e detit dhe duke injoruar parimet themelore të botës nënujore.
Rreziku kryesor vinte nga peshkaqenët. Për t'i larguar e për t'i shmangur ata, peshkatarët, para se të zhyteshin, u drejtonin lutje perëndive, përdornin këmbana – të vendosura në bashin dhe kiçin e anijeve – pasi besonin se tingulli i tyre arrinte të mbante larg balenat dhe «kafshët e mëdha», ose para se të zhyteshin, vëzhgonin praninë e «peshkut të bukur» – i quajtur edhe «peshku i shenjtë» -, që garantonte mungesën e grabitqarëve. Edhe pse në ditët tona është konstatuar se disa lloj peshkaqenësh – nëse nuk janë të uritur e nëse nuk tërhiqen nga pre të plagosura – nuk futen në zonat e përshkuara nga motoskafët, s'ka mundësi që tingujt e këmbanave arrinin t'i largonin. Sipas traditës antike, “peshku i shenjtë” noton vetëm në ujëra të sigurta dhe pa rreziqe. Duke mos pasur të dhëna të sakta, nuk mund të përcaktohet çfarë lloj peshku ishte kjo specie. Është e vërtetë që nuk ekzistojnë kafshë detare, prania e të cilave mund të tregojë mungesën e peshkaqenëve apo peshqëve grabitqarë. Anasjelltas, siç mund të konstatohet sidomos në brezin koralor, shumë specie kanë «tregues rreziku», pasi disa minuta para shfaqjes se grabitqarëve fshihen në skuta natyrore ose artificiale. Fakti që pajisjet e përdorura nga peshkatarët e sfungjerëve ishin të panevojshme konfirmohet nga Oppiano që shkruan: “shpesh peshkatari i sfungjerëve hidhet në thellësitë e detit dhe ka raste që nuk ngjitet më në sipërfaqe, pasi fatkeqi është ndeshur me ndonjë kafshë gjigande dhe të tmerrshme. Duke shkundur litarin ai i kërkon shokëve ta tërheqin sipër; e kështu përbindëshi ujor dhe shokët e peshkatarit e ndajnë trupin e tij në dy pjesë, një skenë e dhimbshme për t'u parë”.
Gjithsesi, siç kanë vënë në dukje kërkime të tanishme, nga 300 lloje peshkaqenësh që ekzistojnë, vetëm 10% e tyre janë të rrezikshëm për njeriun. Përveç kësaj, sulmet kundër pushuesve ndodhin në temperatura më të larta sesa 22°C dhe në afërsi të sipërfaqes. Duke pasur parasysh mjedisin dhe thellësinë në të cilën veprohej, kishte të tjerë rreziqe me të cilat përballeshin zhytësit antikë.
Me shumë mundësi ata e dinin rrezikun e kongjestionit, pasi duke iu referuar Oppiano-s: «…kur përgatiten për punë ata hanë vetëm pak ushqime e pije…»; por, duke injoruar ligjet që rregullojnë presionin mbi dhe nën nivelin e detit, shpeshherë çanin timpanin e veshit. Kjo ndodhte prej një traume indirekte, për shkak të shtimit të presionit atmosferik që shoqërohej me ulje të presionit endotimpanik. Meqë as grekët e as romakët nuk kishin dijeni për teknikat e kompensimit, ata për të lehtësuar dhimbjen gjatë zhytjeve përdornin metoda të veçanta, për disa nga të cilat informohemi nga Aristoteli, që tregon për vendosjen e sfungjerëve rreth veshëve ose derdhjen e vajit në vesh. Në të vërtetë mbyllja e kanaleve të dëgjimit me sfungjer ose materiale të tjera jo vetëm që nuk ul rrezikun e çarjes së timpanit, por mund të shtojë edhe më shumë pasojat aspak të këndshme, pasi sfungjerët e ngjitur ose të futur në kanalet e dëgjimit për shkak të presionit ujor shtyhen drejt timpanit – duke krijuar shumë vështirësi për nxjerrjen e tyre -, kjo edhe për shkak se presioni i ajrit brenda veshit është më i madh sesa ai i jashtëm e për këtë arsye do të shkaktonte njësoj çarjen e membranës së timpanit. Në nivel teorik mund të përfitohet diçka nga derdhja e vajit në vesh, pasi ky lëng duke u futur në membranën e timpanit, duke pasur peshë të ndryshme nga uji e duke tentuar të dalë në sipërfaqe, lehtëson presionin ujor. Në të kundërt është absolutisht i pavërtetë informacioni i Aristotelit, sipas të cilit peshkatarët e sfungjerëve shponin veshët dhe hundën për të lejuar ajrin e brendshëm të dilte nga trupi. Në të vërtetë, duke shpuar hundët dhe sidomos membranën e timpanit, jo vetëm që nuk do arriheshin efekte pozitive, por në të kundërt do ti jepej mundësi ujit të hynte drejtpërdrejt në veshin e brendshëm.
Zhytësit antikë nuk kishin probleme me emboli, që është e rrezikshme vetëm për atë që zhytet me bombulën me oksigjen dhe qëndron për një kohë të gjatë përtej «kthesës së sigurisë» (10 m) dhe ngjitet me një shpejtësi më të madhe se 10m në minutë. Përkundrazi, edhe pse nuk na ka arritur asnjë dëshmi mbi këtë argument, ka shumë mundësi që, ashtu siç ndodh edhe sot, zhytësit vuanin nga «sinkopa e zhytjes së zgjatur», që zakonisht shfaqet gjatë ngjitjes, pak metra nën sipërfaqe, për shkak të një vlerësimi të gabuar të kapacitetit të mushkërive nga ana e zhytësve. Kështu, nëse tani është e mundur, duke vepruar me kompetencë, sjellja në jetë e një të pafati nëpërmjet frymëmarrjes artificiale ose masazhit kardiak, në atë kohë për shkak të mosnjohjes së normave elementare të ndihmës së shpejtë, atij që i bllokohej frymëmarrja nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi.
Pra në botën greko-romake, pikërisht për shkak të rëndësisë në aspektin e trajnimit, terapeutik, artistik, ushtarak e ndoshta më rrallë për të përballuar rreziqet nga një tragjedi detare, noti u pa si një disiplinë aspak e rrezikshme, dhe të mos dije not shihej si një anomali. Mendoni për Plutarkun që numëron mes aftësive të shumta të Aleksandrit një të metë – nuk dinte not; për Kaligulën i cili megjithëse ishte ekspert i shumë aktiviteteve fizike, nuk dinte të qëndronte mbi ujë; për Ovidin dhe Horacin që flasin për notin si një nga «sportet» e preferuara nga rinia dhe burrat; për Ausonio-n që tallet me ngathtësinë e satirëve në ujë, ose për Stazio-n që tregon për satirin Pan-in të frikësuar nga uji.
Vetëm zhytja, e lidhur ekskluzivisht me aktivitetin ekonomik, u quajt e rrezikshme dhe rraskapitëse, qoftë për shkak se zhvillohej në një mjedis pak të njohur nga njeriu, qoftë për shkak të rreziqeve për incidente deri vdekjeprurëse, shpeshherë të lidhura me injorancën ndaj anatomisë njerëzore dhe normave bazë të fizikës.
Fabio Maniscalco (1965-2008) ishte një arkeolog italian. Në vitin 1993 u bë Inspektor Nderi i Ministrisë së Pasurive dhe Aktiviteteve Kulturore. Nga 1995 deri 1998 ishte oficer i ushtrisë italine dhe monitoroi situatën e trashëgimisë kulturore në Bosnjë-Hercegovinë. Në vitin 1997 krijoi dhe drejtoi ekipin eksperimental të kontigjentit shumëkombësh për ruajtjen e pasurive kulturore në Shqipëri. Gjatë aktivitetit të monitorimit hetoi në tregun klandestin të veprave të artit duke rikuperuar shumë materiale arkeologjike. Në vitin 1998 drejtoi Observatorin për Mbrojtjen e pasurive kulturore në zonat e luftës. Ka drejtuar ndërkohë projekte dhe aktivitete me synimin për të shpëtuar trashëgiminë kulturore të ish-Jugosllavisë, Shqipërisë, Kosovës, Lindjes së mesme, Algjerisë, Nigerisë, Irakut e Afganistanit. Për këtë veprimtari ka marrë medalje dhe mirënjohje të shumta. Që nga viti 2000 dha lëndët e “Arkeologjisë nënujore në zonat mesdhetare” dhe “Historia dhe mbrojtja e pasurive artitektonike dhe kulturore në zonat mesdhetare” pranë Fakultetit të Studimeve Arabo-islamike dhe mesdhetare të Universitetit të Studimeve “L'Orientale” në Napoli. Krijoi kolanën monografike “Mesdheu. Mbrojtja dhe vlerësimi i pasurive kulturore dhe ambientale” dhe “Web Journal of Cultural Patrimony”. Në vitin 2007 u propozua për çmimin Nobel për paqen. Në vitin 2007, Fabio Maniscalco, për shkak të aktivitetit të zhvilluar në Bosnjë-Hercegovinë në vitet '90 u sëmur nga një formë e rrallë dhe jo normale e kancerit të pankreasit e shkaktuar nga ekspozimi ndaj uraniumit të varfëruar, sëmundje që i shkaktoi vdekjen në shkurt të 2008-ës.