Rruga që të çon në zonën më të frekuentuar të Durrësit është sërish nën pushtetin e ujit. Për të tretën herë rradhazi, brenda pak ditëve, rruga “Taulantia” është komplet e bllokuar dhe automjetet lëvizin me vështirësi, po ashtu edhe këmbësorët e pakët që u duhet të dalin nga shtëpia për të bërë ndonjë blerje, apo për të shkuar në destinacionin e tyre.

Nga pamjet filmike që sjell operatori i DurrësLajm duket sikur deti është derdhur në tokë dhe ka mbushur rrugën.

Punimet e kryera në këtë aks për sistemimin e kanalizimeve, për të frenuar derdhjet e ujërave të zeza në det nga lokalet dhe restorantet e zonës, nuk kanë parashikuar asgjë përsa i përket mbledhjes së ujërave të bardha të krijuara nga reshjet e shiut. Ndryshe nuk ka si justifikohet kjo situatë 3 herë rradhazi brenda disa ditëve.

Fatmirësisht, natyra u tregua goxha bujare me qytetin, pasi deri në mes të nëntorit përjetuam një pranverë të vonë. Por reshjet intensive të ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah problematikën e përvitshme në Durrës, përmbytjen e rrugëve.

Nëse edhe dhjetori do të jetë po me kaq reshje, lagjja nr.1 duhet të përgatitet për një dimër plot ujë dhe baltë në rrugë. Është për të ardhur keq, pasi është një nga zonat më të frekuentuara jo vetëm nga qytetarët durrsakë, por edhe nga turistët dhe vizitorët ditorë në Durrës.