Vëmendja e të gjithë botës është përqendruar këto orët e fundit tek zjarri i madh që ka përfshirë katedralen e famshme Notre Dame të Parisit.
Mediat kryesore ndërkombëtare po raportojnë për ngjarjen, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe mesazhet plot dhimbje jo vetëm të zyrtarëve të lartë francezë, por edhe atyre botërorë.
Për këtë ngjarje të rëndë, që rrezikon të shkatërrojë katedralen më të famshme në botë, ka reaguar edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës.
“Katedralja ikonë e Notre Dame po zhduket mes flakëve! Ngjarje tragjike për trashëgiminë kulturore, për gjithë qytetërimin! Jemi pranë atyre që po luftojnë me flakët dhe lutemi për Notre Dame!”,- shkruhet në postimin në Facebook të DRKK-së.





