34-vjeçarja nga Durrësi, Fatma Core u nda nga jeta në mënyrë tragjike dy ditë më parë në në një aksident rrugor në një provincë të Mantovës, në Itali.

E reja nga Durrësi, që prej shumë vitesh jetonte në Itali po udhëtonte mëngjesin e së enjtes së bashku me pronarin e fabrikës ku punonte, por fati e desh që të ndahej në mënyrë të papritur nga jeta. Kolegët e ndërmarrjes ku punonte vajza e re kanë mbetur të shokuar nga lajmi i hidhur. Ndërkohë 67-vjeçari Renzo Franchin, pronari i ndërmarrjes ka mbetur i lënduar nga aksidenti, por ka dalë nga spitali një ditë më vonë.  

Furgoni me të cilin ata po udhëtonin është përplasur me një pemë. Goditja ka qenë fatale për Fatmën, e cila ka qenë e ulur në sediljen e pasagjerit.

“Ishte shumë e qeshur, i pëlqente të rrinte mes njerëzve!” Kështu e kujton Denis Marchesin, i cili e ka njohur Fatmën 10 vite më parë, kur ajo punonte bariste në një lokal në Montagnana.

34-vjeçarja ishte shumë aktive në rrjete sociale dhe postimi i saj i fundit në Instagram është bërë vetëm pak minuta para përplasjes fatale.

“Ishte një person plot jetë, edhe kur ishte e trishtuar arrinte t’u jepte kurajo të tjerëve” thotë miku i saj Marco Albertin, që ende nuk arrin ta besojë se Fatma është ndarë nga jeta.

DurrësLajm mëson se vajza e re kishte emigruar së bashku me prindërit, motrën dhe vëllanë e saj që në fillim të viteve 90 drejt Italisë, ku jetonte e punonte. Lamtumira e fundit për Fatmën do të jetë pasditen e së hënës, në varrezën e Casale-s.