Korriku është gjithnjë një periudhë e ngarkuar për ekonomistët që duhet të dorëzojnë bilancet deri në fund të muajit.

Prej disa vitesh, procedurat janë lehtësuar dhe bilancet nuk dorëzohen më fizikisht në sportele, por online, përmes e-Albania.

Megjithatë problemet nuk kanë munguar. Vitin e kaluar, sistemi nuk funksioni për shkak të sulmeve kibernetike ndaj faqeve qeveritare, duke shtyrë afatin për pak ditë.

Këtë vit, QKB pohon se procesi po ecën mirë dhe deri tani janë rreth 17 mijë subjekte që kanë dorëzuar bilancet, nga 20 mijë që janë në total.

Megjithatë, sërish problematikat nuk kanë munguar.

Bizneset ankohen se më parë, kur bilanci nuk arrinte të dorëzohej, sistemi i njoftonte se ku qëndronte gabimi, ndërsa këtë vit, bilanci thjesht nuk arrin të dorëzohet dhe bizneset e kanë të pamundur që të identifikojnë gabimin

“Monitor” iu drejtua Qendrës Kombëtare të Biznesit, e cila sqaroi se si duhet të veprojnë subjektet kur nuk arrijnë të bëjnë dorëzimin final të bilancit.

 Sipas QKB:

Shërbimi i depozitimit të pasqyrave financiare për administratorët shqiptarë dhe të huaj, si dhe në vitet e mëparshme, në rast të depozitimit të tyre, njoftohet me një e-mail, nëse vlefshmëria është kryer me sukses ose jo.

Në rast se konstatohen gabime, subjektet njoftohen rast pas rasti. Sa i përket vlefshmërisë së shifrave, njoftim i cili i shfaqet te “Shiko gabimet/See the errors”, ilustrohet si më poshtë:

Duke klikuar te komanda “Shiko gabimet/See the errors” shfaqen gabimet. Ilustrimi si më poshtë:

Nëse fushat gjatë kryerjes së aplikimit janë plotësuar gabim në fund të aplikimit del njoftimi “Ndodhi një gabim gjatë komunikimit me sistemin qendror. Ju lutemi provoni më vonë”.

Në këtë rast, çështja kalon në statusin draft, por subjekti duhet ta fshijë këtë draft dhe të hapë një aplikim të ri për depozitimin e pasqyrave financiare, pasi janë ruajtur të dhënat e aplikimit të mëparshëm.