Lidhur me pesticidet e ndaluara në vendet e BE-së, por që qarkullojnë lirisht në Shqipëri, “Stop” me kameran e fshehtë vëzhguan tregun e farmacive bujqësore.
E në fakt pikërisht pesticidet e ndaluara në hapësirën europiane si Vidate, apo Afromyl, Myclofil e Myclobutanil, shiten lirisht për përdorim.
Farmacia 1: Është hequr nga qarkullimi. Ti nuk mban përgjegjësi për veten tate, ai tjetri nuk mban për vete, malli nuk shkon andej, të gjithë dëmtohemi në këtë mes. Nuk bëhemi njerëz. Përdorim produkte, që nuk janë të regjistruara dhe që janë të dëmshme, jashtë karence (koha e përdorimit), prandaj u hoq nga qarkullimi, se duhet 60 ditë para vjeljes. Përmban lëndë aktive, që lë mbetje.
Stopi: Ke nga ky “Vidate” ?
Farmacisti 2: Po!
Stopi: Po “Afromyl”?
Farmacisti 2: “Afromyl” është 23.
Stopi: Po marr këtë unë, se paska më shumë kjo.
Farmacisti 2: Faleminderit!
Farmacia 3
Stopi: Për nematodën ( sëmundjen)?
Farmacia 3: Për nematodën ke “Afromyl”.
Stopi: Sa lekë është ajo?
Farmacia 3: Kjo është 30 mijë.
Arnold Pashollari, drejtor i AKU-së Fier thotë se do të bëhet bllokimi i pesticideve, që nuk lejohen.
“Doja të thoja që këto lloj pesticidesh mund të gjenden nëpër farmaci, por AKU e qarkut Fier do marrë masa për bllokimin dhe sekuestrimin e të gjitha pesticideve që nuk lejohen në tregun tonë. Pjesa e pesticideve është detyrë e AKU-së. 100% do të mundohemi që të zbatojmë ligjin dhe të merremi me bllokimin dhe sekuestrimin e mallit. Kemi çuar informacion në Inspektoratin e Mjedisit, i cili merret me këtë pjesë dhe është procedurë e tyre. Ne duhet të jemi prezentë bashkë me Tatimet dhe me Inspektoratin e Mjedisit për pjesën e asgjesimit. Ndërsa për pjesën e fermerëve që përdorin pesticidet merret Inspektorati i Mjedisit për të cilën do merren procedurat përkatëse”, tha ai.
Por deri atëherë ne do të konsumojmë produkte ushqimore problematike, ndërsa eksportuesit do të penalizohen e do të paguajnë papërgjegjshmërinë e institucioneve, që paguhen për të na mbrojtur.