Francë, 10 qershor 2014 – Nuk e ka tradhtuar e as mashtruar bashkëshorten e tij, por është i detyruar të divorcohet dhe t’i paguajë asaj një dëmshpërblim prej 10 mijë eurosh, për shkak se nuk ka përmbushur detyrimet e tij si bashkëshort në shtrat.

Vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit në Aix-en-Provence ka ndezur një debat të fortë në Francë.

Gjykata vendosi që burri i martuar prej 20 vjetësh, të paguajë shumën 10 mijë euro për bashkëshorten e tij, pasi u shpall fajtor për mungesën e raporteve seksuale prej shumë vitesh. Gjykata i dha të drejtë gruas, e cila pretendon se bashkëshorti i saj shtirej si i sëmurë, për të shmangur çdo kontakt me të.

Trupi gjykues hodhi poshtë pretendimet e palës mbrojtëse, e cila justifikoi mungesën e seksit mes çiftit me faktin që i pandehuri kishte probleme me shëndetin dhe lodhej shumë në punë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/