Reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh në qarkun e Durrësit, por pas kanë lënë dëme të shumta në disa zona. Dalja e lumit Erzen ka shkaktuar dëme në shumë banesa, të cilave ju ka hyrë uji brenda. Zonat e prekura janë Shijaku, Sukthi, Katundi i Ri, Fllaka e më tej.
Në shumë banesa uji ka dëmtuar orenditë shtëpiake. Në Sukth banorët apelojnë për pastrimin e kanaleve që do të bënin të mundur shmangien e përmbytjeve.
Ata thonë se nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim nga dëmet e shkaktuara nga përmbytjet vitet e shkuara. Era e rëndë e ujërave të zeza në lagjet e përmbytura kutërbon ngado, ndërsa banorët apelojnë për ndihmë nga autoritetet dhe strukturat vendore.
Veç dëme në banesa, përmbytjet u kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha fermerëve në fshatrat e bashkisë së Durrësit. Fermerët thonë se kanalet e bllokuar kanë bërë që tokat të përmbyten dhe prodhimet e stinës të përfundojnë tërësisht nën ujë.
K.H.





