Këngëtares shqiptare nga Kosova, Xhevahire Bytyqi, e cila kultivon zhanrin e muzikës popullore moderne i është ndaluar hyrja në Zvicër. 

Sipas zyrës së Migracionit të Zyrihut, ajo nuk është një artiste “shumë e kualifikuar”. Që nga viti 2004, këngëtarja udhëtonte drejt Zvicrës dhe performonte në lokalet e shqiptarëve, por tani e ka të ndaluar.

“Arsyeja përse Zyra e Migracionit të Zvicrës, e cila merret me leje të tilla është shkatërruese. Xhevahire Bytyqi nuk është artiste shumë mirë e kualifikuar. Përveç kësaj, profili i saj i lartë në ‘shtëpi’ nuk është i dokumentuar siç duhet. Me fjalë të tjera, gruaja nga Prizreni i Kosovës cilësohet si artiste ‘e keqe’ për të performuar në Zvicër”, shkruan e përditshmja zvicerane NZZ.

Zyra e Migracionit është bazuar te klikimet në Youtube, diploma dhe ndjekësit në rrjete sociale për vendimin e marrë. Pas hulumtimeve, punonjësit kanë dalë në përfundimin se këngët e saj arrijnë 3500 deri në 31 mijë klikime.

Ndër të tjera, Xhevahire ka dëshmuar se ka diplomë të shkollës së mesme të muzikës. Por personat që cilësohen të kualifikuar janë ata që dëshmojnë se kanë mbaruar shkollën e lartë dhe dorëzojnë dokumente të biletave të shitura në koncerte apo albumeve muzikore.