Hansi Flick është shprehur i pakënaqur me arbitrin pas ndeshjes me Interin. Barcelona është eliminuar nga zikaltërit në gjysmëfinalen e Champions League, duke humbur në kohën shtesë. Polemika të mëdha ka pasur vecanërisht për golin e Acerbit, ku pretendohet një faull nga ana e Dumfries në marrjen e topit. “Jam i zhgënjyer, por jo për ekipin tim. Ata provuan gjithcka. Jemi jashtë tani, por vitin tjetër do të përpiqemi përsëri dhe do t’i bëjmë tifozët dhe të gjithë klubin të jenë të lumtur. Interi është një ekip i madh, mbrojnë shumë mirë, kanë sulmues të mirë. Arbitri? Nuk dua të flas shumë për arbitrin, por cdo vendim që ai merrte në fushë, nëse ishte një situatë 50-50, vendimi ishte gjithmonë në favor të Interit. Ia thashë në sy atë që kisha për t’i thënë, por nuk dua ta ndaj këtu atë bisedë. Nuk më pëlqen të flas më shumë për të”, tha Hansi Flick.

Nga krahu tjetër, Inzaghi duartrokiti djemtë e tij për këtë finale dhe u shpreh i mahnitur këtë herë nga një tjetër lojtar i Barcelonës, jo më nga Yamal. “Së pari, duhet të përgëzoj edhe Barcelonën, një skuadër vërtet e fortë. U desh një super Inter: duartrokitje për këta djem, që bënë dy paraqitje monstruoze. Jam i lumtur që jam trajneri i tyre, më dhanë gjithçka që kishin. Është e drejtë që ata shijojnë suksesin në këtë stadium. U thashë se kishim bërë disa ndryshime që do të na ndihmonin. Kemi pasur disa probleme, por me zemër kapërcejmë çdo pengesë. Ne u përpoqëm ta luanim, me armët tona dhe me cilësitë që kemi. Pas ndeshjes së parë kishim planin e lojës, por pa sakrificën dhe ndihmën e të gjithëve ne së bashku nuk mund ta bënim dot këtë. Bravo djema, e meritojnë këtë finale. Është folur shumë për Yamal, pashë një lojtar tjetër të jashtëzakonshëm që është De Jong. Ai më bëri përshtypje në të njëjtin nivel si Yamal: ai pastronte çdo top të dytë. Unë nuk do t’i ndërroja lojtarët e mi për askënd në botë, por kam parë shumë lojtarë të fortë te Barcelona përveç Yamal”, tha Inzaghi.