Memli Begalla, 64-vjeçari i cili u ekzekutua mbrëmë në kryeqytet me silenciator me një plumb në kokë, ka qenë i njohur për kronikën e zezë edhe në vitin 2009.

Bashkë me të birin Lilin, Begalla, që asokohe njihej me emrin Afrim, ishin arrestuar në Bari të Italisë pasi kishte rrëmbyer vajzën e tij dhe po e kthente nga Zvicra drejt Shqipërisë me forcë, pasi nuk donte që e bija të martohej me një shtetas kosovar.

Lajmi i publikuar asokohe në median italiane "La Gazzetta del Mezzogiorno"  lidhur me ngjarjen:

Pasi i kishte thënë prerë se “nuk do martohesh me kosovar”, dy qytetarë shqiptarë, babai dhe vëllai i 27-vjeçares që pritej të bëhej nuse, e kanë detyruar me forcë që të hipë në makinë dhe nga një qytet i papërcaktuar në Zvicër mbërritën në Bari për të shkuar në Shqipëri. Por në port mbërriti kërkesa ndërkombëtare e arrestit nga autoritetet zvicerane dhe policia kufitare i bllokoi rrëmbyesit, të cilët ndodhen në një burg të Barit. Vajza e re u nis për në Zvicër, ku punon në një agjenci udhëtimesh.  

Për këtë çështje nuk u mësuan detaje të mëtejshme, përveç faktit që akuzat e ngritura ndaj Afrim Begallës, atë kohë 56 vjeç dhe të të birit Lili, 29 vjeç janë ajo e rrëmbimit të personit dhe heqjes së lirisë; se rrëmbimi është kryer më 9 dhjetor dhe se arrestimi i dy shqiptarëve ndodhi në mëngjes (11 dhjetor 2009).

Pasi është marrë në pyetje nga hetuesit barezë, vajza që do të bëhej nuse u përpoq ta minimizonte ngjarjen, e cila kishte ndodhur në praninë e mjaft dëshmitarëve, mes të cilëve ishte edhe i fejuari i saj.