Super jahti "Kingdom 5KR" u ankorua sot paradite në portin e Durrësit. Mjeti lundrues 85 metra i gjatë, kushtoi në kohën kur u ndërtua rreth 100 milion dollarë ishte pronë e miliarderit saudit Adnan Khashoggi.
Mjeti lundrues është ndërtuar në vitin 1980 nga ndërtuesi Benetti, ndërkohë që punimet origjinale në brendësi të tij janë realizuar nga Luigi Sturchio, sipas Wikipedia.
Në fillim, jahti mbajti emrin e vajzës së miliarderit arab, Nabila. Në kohën që u ndërtua ai ishte një nga jahtet më të mëdha të botës, por tani renditet në vend të 60-të dhe do të ulet edhe më tej në renditje, pasi mania e tanishme e pasanikëve është të ndërtojnë jahte gjithnjë e më të mëdha.
Në kohën kur mbante emrin Nabila, jahti u shfaq edhe në filmin e James Bond, “Never say never again”, në të cilin mbante emrin “Flying Saucer”. Jahti frymëzoi bandën e famshme të rrokut, Queen, për këngën e tyre “Khashoggi-s ship”, e përfshirë në albumin “Thë miracle”.
Pas problemeve financiare që po kalonte miliarderi arab, ai vendosi ta nxirrte jahtin në shitje. Jahti u ble në vitin 1988 nga sulltani i Bruneit, sundimtari më i pasur në botë, që më pas ia shiti Donald Trump për 29 milion dollarë.
Trump, tashmë president i SHBA-së, i vuri në atë kohë emrin “Trump princess”.
Në kohën kur vetë Trump po kalonte probleme financiare vendosi t’ia shiste jahtin princit Al-Waleed bin Talal për 20 milion dollarë.
Jahti mori emrin e kompanisë së investimeve të princit Kingdom, ndërkohë që shifra 5 përfaqëson numrin e tij me fat, ndërsa shkronjat K dhe R përfaqësojnë inicialet e fëmijëve të princit saudit.
M.B.





