Një nga firmëtarët e letrës kundër shembjes së Teatrit, Guljelm Radoja, ka folur për herë të parë për këtë çështje, gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara Teatrit.
“Në këtë lloj zullumi që këta njerëz na provokuan që të bëhemi hasëm me njëri-tjetrin, unë isha i bindur se do të fitonte qytetaria dhe jo ata që i bënin fresk pushtetit, pushtetarëve, që kurrë në jetën e tyre nuk arritën të hyjnë dhe të shohin një shfaqje, këta që e panë vetën në karriget e pushtetit, këta anonimatë, arritën në këtë gjendje, që kishin kënaqësi të na bënin të vuanim.
Mbase një ditë edhe këta do t’i kapë turpi dhe kur të shohin veten në pasqyrë do thonë: “çfarë bëmë kështu?”. Megjithatë unë mendoj se këta nuk e njohin nocionin e fjalës “turp”.
Gjatë fjalës së tij, aktori solli edhe një histori të rrëfyer nga i ati, teksa, vite më parë, bëhej fjalë për një mjek të cilit i kërkuan që të operonte kryeministrin “e asaj kohe”, dhe ndërsa u nis për në sallë, shoqëruesit e tij, i thanë që të vinte firmën që do të operonte kryeministrin.
“Ah jo, i tha doktori, firmën e vendos pacienti, ata që e shoqërojnë pacientin (Teatrin), unë operoj, hoqi bluzën dhe iku në shtëpi”, ka përfunduar rrëfimin Radoja.
“Duket se kjo specie burrash, ishte specie në zhdukje, siç thotë dhe Flutra Açka për një kolegun tonë: Erdhën këta burrat ku*va…. këta që kanë kënaqësinë që ne të na lënë pa gjum”, u shpreh ai.
“Unë, qytetari Guljelm Radoja, e sfidoj këtë qeveri, këtë anonimat… dhe si aktor nuk do t’i lejoj kurrë luksin atyre, që të vijnë të bëjnë homazhe në kufomën time. Siç i sfidoi Bujar Lako, edhe Fadil Kujovska, edhe Fatos Çela… Jo thanë! Nuk duhet të vinë të bëjnë show me kufomat tonë, do shkojmë atje si qytetarë”, tha aktori.