Gjon Muharremaj arriti të renditej i treti në “Eurovision 2021” me këngën “Tout l’Univers”, me të cilën përfaqësoi Zvicrën.

Disa muaj më parë këngëtari kishte shprehur dëshirën, se ka dashur të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticionin më të madh të muzikës në Evropë. Ai shtoi më tej se kishte aplikuar në  Festivalin e RTSH-së, por nuk ishte pranuar.

Gjoni tregoi se në fillim kishte kontaktuar me moderatoren Alketa Vejsiu e cila fillimisht i kishte thënë të aplikonte, por më pas ishte e kotë pasi ajo e kishte telefonuar duke i thënë “se ishte shumë vonë për të marrë pjesë”.

Ndërsa shtoi më tej se moderatorja  i premtoi se do merrte pjesë në “Festivalin e Këngës” si i ftuar, por sipas tij, “çuditërisht kjo gjë nuk ndodhi”. Pas deklaratave të bujshme të Gjoni’s Tears dhe rënditjes së tij në vendin e 3-të në “Eurovision” , i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Alketës.

Prezantuesja u shpreh se dëshironte shumë që artisti të ishte pjesë e Festivalit por “ardhja e këngës ishte jashtë kohe dhe për më tepër në frëngjisht”.

Së fundmi, teksa ishte i ftuar në “Wake Up”, Gjoni ka folur për herë të fundit për këtë temë duke thënë:

“Me thënë të drejtën nuk është gjë që më intereson shumë. Nuk e kisha dëgjuar më parë deklaratën e Alketës. Unë kam bërë të pamundurën të shkoja atje dhe është gjë shumë e bukur.

Nuk po them që gjithmonë kanë tentuar të më ulin poshtë apo të mos më marrin. Unë tani nuk dua të bëj skandal, asgjë, sepse nuk e kam problem.

Unë arrita ta realizoja në Zvicër këtë gjë dhe jam shumë krenar që ndodhi në Zvicër dhe s’kam asnjë problem me asnjëri. Unë jam shumë i lumtur që u bë ‘Eurovision’, kështu që nuk kemi pse të bëjmë asnjë skandal. Për mua kjo është histori e vjetër, kështu që le të shkojmë përpara”,- u shpreh këngëtari.