Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për mediat njoftoi se ka nisur procedurat për shpalljen e datës për zgjedhjet vendore në ato të bashki të vendit, që drejtohen nga kryetarë jo të zgjedhur, ku mes tyre është edhe ajo e Durrësit.
Sot jemi këtu për të bërë me dije se kemi nisur procedurat për t’i dhënë zgjidhje dhe një çështje që Gjykata Kushtetuese iu shmang. Prej kohësh kemi një situatë absurde që disa bashki në vend janë pa kryetar, kjo situatë nuk mund të rrijë pafundësisht pa zgjidhje. Presidenti gjithashtu nuk ka se çfarë të presë më, sepse priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ajo dha një mosvendim. Prandaj duke konstatuar se këto institucione, pra bashkitë nuk po funksionojnë siç duhet, për t’ju bërë me dije se sot kam filluar procedurat për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate. Përmes një letre dërguar komisionerit për zgjedhje, kam kërkuar informacion se cilat janë ato bashki, sipas informacion ku kryetarëve të bashkive u kanë përfunduar mandati i parakohshëm dhe është i nevojshëm një i ri. Mbetem në pritje të një përgjigje sa më të shpejtë në mënyrë që si president të vazhdoj të eci përpara për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate të bashkive pa kryetar”, tha Meta.
I pyetur nga gazetarët nëse do të konsultohet me Lulzim Bashën për datën e këtyre zgjedhjeve, Meta tha se nuk do të ketë konsultime, pasi kemi të bëjmë me zgjedhje të parakohshme, dhe jo të përgjigjshme.
“Jam mëse i bindur që kam bërë një akt patriotik me anulimin e zgjedhjeve në 2019, dhe kam shmangur një konfrontim mes palëve. Duke dhënë mundësinë jo vetëm për zgjidhje gjithpërfshirëse por edhe rrugëdalje, ju e patë se çfarë ndodhi në 8 Janar mes vetë demokratëve.
Presidenti nuk ka nevojë që të ketë konsultim me askënd, pasi nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të përgjithshme. Këto duhet të ishin bërë me kohë, nëse do të veproja më herët, do të legjitimoja ato zgjedhje antikushtetuese .
Në këto kushte jam i detyruar që të veproj në kushtet që parashikohet në raste të tilla, kush ka dëshirë të regjistrohet, kush ka dëshirë të marrë pjesë, nuk dua të dëgjoj më jo Durrësi pa kryetar, jo kjo pa kryetar, jo po presidenti çfarë po bën?“, u shpreh ai.





