Pas vrasjes së gjyqtares së Shkodrës Fildes Hafizi nga ish-burri i saj, një tjetër rrëfim i dhimbshëm vjen nga një grua. JOQ ka publikuar sot historinë e një gruaje nga Fushë-Kruja, Merita Brama, e cila ka frikë për jetën e saj dhe të fëmijëve.

“Para një muaj jeta ime u rrezikua, pasi ish-bashkëshorti im u përpoq të më vriste. Tani gjendet i lire, duke u bërë një kërcënim serioz për mua dhe fëmijët e mi”, -ka shkruar gruaja për JOQ. Shifrat tregojnë se me qindra gra dhunohen verbalisht dhe fizikisht nga burrat e tyre dhe nuk kanë qenë të pakta rastet, kur edhe pse kanë qenë nën urdhrin e mbrojtjes kanë gjetur vdekjen.

“Jam dhunuar tetë vite rresht. Edhe mua edhe fëmijët na dhunonte si verbalisht dhe fizikisht. Më kanë kërcënuar edhe dy vëllezërit dhe babai i tij se do më vrasin”,- ka treguar më tej gruaja”, pohoi ajo.
Rrëfimi i kësaj gruaje është i mbushur me dhimbje dhe frikë. Ajo tregon mes rreshtash se si burri ka shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe është lënë i lirë.

“Nuk dua të kem fatin e të ndjerës Fildes Hafizi. Ai është në kërkim po nuk dorëzohet pa më vrarë mua dhe fëmijët e mi. Prindërit dhe vëllezërit e mbështesin, po jetoj me frikë se do më vrasi në mes të rrugës”, – ka përfunduar gruaja.

Ndërkohë, Merita Brama i është drejtuar me një letër edhe ‘Nisma thurje’.

Nga: Merita Brama

Quhem Merita Brama dhe dua ti bëj nëpërmjet jush një apel gjithë strukturave të shtetit dhe shoqërisë sepse jam e rrezikuar për jetën, unë dhe fëmijët e mi.

Unë jam ndarë nga im shoq në maj sepse ai ishte i dhunshëm. Nuk mund ta duroja më. Mbas vitesh dhune e vendosa dhe u largova me fëmijët. Pasi u ndamë, në mëngjesin e 15 korrikut, në orën 6, burri më ka zënë pritë teksa shkoja në punë dhe tentoi të më vriste me levë. Kam ngrënë mbi 40 goditje levash në kokë dhe gjithë trupin dhe një Zot e di si munda ti shpëtoj e të largohem prej tij. E larë në gjak kam shkuar në komisariat ku më ka rënë të fikët dhe jam zgjuar në spitalin e traumës. Aty ka ardhur prokuroria dhe më ka marrë kallzimin por ju desh 1 muaj e gjysëm që ta shpallnin personin në kërkim. Ndërkohë ai fshihet te të afërmit e tij dhe me con kërcënime nëpërmjet vëllezërve të tij se do më vrasë edhe mua dhe fëmijët. Fëmijët janë me mua, njëri rri gjithë ditën e më ruan teksa tjetri punon. Jam shumë e frikësuar. Nuk dua ta pësoj si Fildesi që iku nga kjo jetë. E dua jetën dhe nuk kam bërë asnjë faj që të ma marrë dikush. I dua fëmijët dhe duam të jetojmë të qetë. Policia, prokuroria as që na dëgjojnë. Kam kërkuar urdhër mbrojtjeje, asgje. Askush nuk na i vë veshin dhe ndaj ju drejtuam ju që ndoshta duke e bërë publike, shumë njerëz solidarizohen dhe shteti reagon e na mbron. Ky në foto është ish burri im, Agim Isuf Doçi, njeriu që do të na vrasë. I cili eshtë betuar se nëse nuk na vret, nuk gjen paqe. Ju lutem na ndihmoni!