Teksa numërimi mbrapsh për “Eurovision” ka filluar, përfaqësuesja e Shqipërisë Ronela Hajati është vendosur prej ditësh në qendër të vëmendjes.

Kjo pasi fotot e performancës së saj u hoqën nga faqja zyrtare e festivalit europian të muzikës në Instagram. Lëvizje kjo që shkaktoi shumë polemika dhe reagime nga ndjekësit jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj. Mbrëmjen e djeshme në ‘Goca dhe Gra’, Ronela tha se e gjitha ishte thjesht një lëvizje dore dhe se duhej të ishin marrë foto të tjera gjatë performancës në skenë.

“Është një lëvizje, që thjesht shkon dora dhe është kapur aty. E di si është puna, kemi pasur një suport shumë të madh nga njerëz që as nuk i njoh. Komentet negative janë shumë të pakta. Unë i pikas këto se dua t’i shoh. Problemi është se komentet pikante janë vetëm bullizuese dhe të poshtra, sa je shëndoshur sa kile ke shtuar. Koreografia është censuruar se ka video të tjera që duhet të ishin marrë”.- u shpreh Ronela.

Ndërkohë ditën e sotme ka folur stilisti i saj Niko Komani. Në një lidhje me Skype për “Friend Zone” Niko tha se të gjithë janë habitur nga fshirja e fotove, pasi më herët ka pasur edhe performance më provokuese.

“Dje kishim një takim me përfaqësuesen e Spanjës dhe ajo vetë tha që janë të gjithë të habitur me këtë gjë që po ndodh. Sepse edhe ajo vetë ka një performancë seksi. Është hera e parë që Shqipëria po komentohet pafund, çdo detaj, nga paruket, pse kjo veshje, sepse më herët vetëm është thënë, është këngë e mirë dhe vetëm kaq.

Kemi parë performanca shumë të çuditshme, puthje në buzë, femra dhe meshkuj topless. Nuk e di pse Ronelës i ndodhi kjo. Ne kemi 6 ditë në Torino dhe ne kemi dal për shopping për qejfin tonë dhe na ndalonin njerëzit, madje dhe shqiptarë pafund. Edhe të gjithë janë të çuditur se pse i ndodhi Ronelës kjo”, u shpreh Niko.

Ndonëse po jeton ëndrrën e saj, Ronela Hajati po kalon një periudhë të vështirë që kur ka nisur rrugëtimin drejt “Eurovision”.  Ditën e sotme ajo ka postuar në “Twitter” një shkrim ku tregon se i mungon studioja e saj, të bëj muzikë apo fansat. Ajo u shpreh se ka punuar shumë për performancën që do të paraqesë në festivalin e madh por njerëzit nuk janë ende të kënaqur me të.

Sipas saj kjo është e gjitha çka mund të bëjë dhe madje i ka kërkuar falje ndjekësve. Këngëtarja duket se është prekur shumë nga komentet negative sa iu ka kërkuar gjithashtu që në momentin kur ajo do të përformojë të fikin TV dhe mos ta shikojnë performancën e saj pasi do ta harrojnë më shpejt. /Panorama Plus