Do të vijojë të mbetet në burg autori i vrasjes së 33-vjeçarit Branko Shkoza.
Gjyqtarja Besjana Garxenaj ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për 35-vjeçarin Majlind Habibi, i akuzuar për vrasjen e shokut të tij në zonën e Spitallës, më datë 2 dhjetor.
Në sallën e gjyqit, Habibi ka mohuar të ketë qenë ai autori i krimit. Ai ka thënë se deklaratën e parë, sipas të cilës e kishte vrarë Brankon se i ngacmonte gruan, e ka bërë nën presion.
Po sipas 35-vjeçarit, takimi i fundit mes të dyve ka qenë me datë 27 nëntor.
“Jam baba i një fëmijë, kam gruan shtatzënë. Nuk e kam vrarë Brankon, sepse kam qenë në punë”,– janë disa nga deklaratat e Habibit gjatë masës së sigurisë.
Sipas policisë së Durrësit, autori dyshohet se e ka shtyrë me qëllim 33-vjeçarin drejt kanalit për t’i marrë jetën.
Pas hedhjes së Branko Shkozës nga ura për motive të dobëta, Habibi fshehu krimin.
Trupi i viktimës u gjet më datë 5 dhjetor pas kontrolle intensive nga ana e shërbimeve të Policisë së qytetit bregdetar.