Këngëtarja Elhaida Dani ishte e ftuar në emisioni “Soire” mbrëmjen e djeshme, ku rikujtoi momentet më të rëndësishme që kanë shënjuar në jetën e saj.
Elhaida tregoi se fillimet nuk kanë qenë dhe aq të lehta, pasi pjesëmarrjen te kompeticioni muzikor “Ethet” e ka përballur me dështimin e saj të parë dhe aty ka menduar që muzika nuk është arma më e fortë.
“Ishte një dështim total për mua si Elhaida, sepse ishte hera e parë që them që nuk jam vetëm vajza që i bie pianos, klasike në shkollë, por jam edhe ajo këngëtarja. U eleminova ne raundin e dytë. Këtë gjë nuk e tregoj shpesh, por ja do ta tregoj sot. Ndodhi që kishte këngëtarë shumë të mirë. Atë vit konkurronin Xhensila Myrtezaj, Kejsi Tola, Dorina Garuci. Kishte disa emra vërtet shumë të mirë që këndonin me vite, ishin goca skene. Unë sapo kisha filluar, ngjitesha në skenë për herë të parë dhe këndoja e ndrojtur dhe u eleminova në radhën e dytë të raundeve. Thash ok e provova, nuk është gjëja ime, kurrë më në jetën time s’do kap një mikrofon në dorë. E kam bërë atë rrugën nga Tirana deri në Shkodër duke qarë dhe tani më mbushen sytë me lot, se babit i dhimbte zemra dhe nuk dinte çfarë të më thoshte. Babi dhe mami më qëndruan afër”, -ka treguar Elhaida Dani.
Ama ajo nuk u ndal këtu dhe fill pas këtij dështimi, Elhaida merr pjesë tek “Star Academy”, e cila fiton çmimin e parë.
Ajo është fituese e disa çmimeve si Star Academy, Top Fest, The Voice of Italy dhe fituese e Festivalit të Këngës në RTSH 2014 që e bëri përfaqësuese të Shqipërisë në Eurosong 2015.





