Bledi Shkëmbi është kthyer sot përsëri në pankinën e Teutës dhe ka debutuar me një barazim përballë Kukësit. Një barazim të cilin ai e ka cilësuar si pozitiv dhe si nëj hap para për ekipit.

“Sa i përket lojës, ndoshta mungoi vetëm goli. Por ajo që doja të thosha është një falënderim për djemtë se bënë maksimumin, luftuan e vrapuan pa fund. Për detyrat taktike u munduan të bëjnë maksimumin por dihet që në futboll po nuk shënove ka probleme. Por ajo që më kënaq është që me lojën që zhvilluam ka përmirësime.

A ndikoi i kuqi? Patjetër që po, nuk mund të them që jo. Të ndihmon, por rastet i patëm, mendoj se bëmë mirë. Mendova të mos kaloj në aventurë, por të jemi të kujdesshëm me ekuilibër si skuadër. Vetëm rrezikuam diçka në fillim dhe në pjesën e dytë rastet u paraqiten por për fat të keq nuk arritëm të shënojmë. Shpresoj që fatin ta kemi në ndeshjet e ardhshme.

Gjatë gjithë kohës kërkoja që Beqja të kalonte para, të mbështeste para. Kurse Karabeci është e kotë të them diçka se nëse do më thoshin trajnerët të lëvizja mes linjave, nuk do e beja dot. Ndoshta ishte edhe pamundësi fizike e Beqjes se nuk arriti ta bënte si duhet. Nuk duhet të harrojmë që kur skuadra vjen nga ndeshje e rezultate jo të mira, patjetër është më e kujdesshme skuadra, jo vetëm trajneri, por edhe lojtarët. Vazhdoj të them se pavarësisht ishim me një lojtar më shumë, patëm momentet tona edhe kur ishim të barabartë. Nëse do të shënonim do të ishte ndryshe, pavarësisht kësaj, skuadra ishte me ekuilibër.

Unë mendoj se Teuta ka qenë gati, pavarësisht disa ndeshjeve jo të mira. Jo se erdha unë bëra çudi. Këto janë lojtarët, futbolli ka ulje e ngritje. Nuk mendoj se jam unë që ktheva skuadrën ku duhet, unë kam dy ditë dhe këtë skuadër e ka stërvitur për shumë kohë miku im Arapi, këtë e treguan edhe lojtarët, kjo Teutë ka qenë gati. Kemi një javë kohë për të përgatitur më mirë me Tiranën, ndoshta na kthehen edhe disa lojtarë të dëmtuar. Sot kishim lojtarë krahu në qendër të mbrojtjes që bënë mirë falë cilësive që kanë dhe eksperiencës.

Kukësi në mesfushë për mendimin tim ka lojtarë shumë cilësorë, që kur kanë topin bëjnë të vuajnë kundërshtarët. Atë që kishim përgatitur arritëm ta bëjmë shumë mirë”, tha Shkëmbi.