Artan Lame, drejtor i ALUIZNI-t, që pas paktit Rama-Basha do të lërë institucionin që drejton në pritje të emrit teknik që do të zgjedhin demokratët ka reaguar me një shënim për marrëveshjen e arritur.

“Kryetari Basha i opozitës, me të drejtë të vet kërkoi që ta merrte nën kontroll ALUIZNI-n, se mos e ndihmon të fitojë vota. Nga ana e tij Kryeministri Rama pa u menduar dy herë ia dha këtë kontroll”, shkruan Lame, duke e ilustruar gjithë këte me historinë e qëmotit, mbyllur me shprehjen e famshme të Skënderbeut: “I thoni zotit tuaj që nuk është palla, por krahu që e mban, ai që ka bërë kërdi mbi kokat tuaja”.

Postimi i Artan Lames:

NUK ËSHTE PALLA, OR BIR!

Në këtë klimë mosbesimi të ndërsjellë, kryetari Basha i opozitës, me të drejtë të vet kërkoi që ta merrte ndën kontroll Aluizni-n, se mos e ndihmon të fitojë vota. Nga an’ e tija Kryeministri Rama pa u menduar dy herë ja dha këtë kontroll. E kjo punë, më sjell ndër mënd një histori prej qëmoti.

Barleti mes të tjerash shkruan për një ndodhí që s’di sa është e vërtetë, por edhe pa gjë zor të jetë. Sulltan Mehmetit, pasi u mund e u mund nga Skënderbeu ynë, i shkon një llaf që ish hapur, sipas të cilit Gjergji paskësh një pallë të madhe larë me flori, e cila bënkësh kërdi mbi kokat e turqve.

Atëhere Sulltani çon një dërgatë që ja kërkon pallën Gjergjit me çdo çmim. Gjergji nuk ua bën dy fjalën dhe e dorëzon pallën në dorë të dërgatës, por duke ju thënë: “I thoni zotit tuaj që nuk është palla, por krahu që e mban, ai që ka bërë kërdi mbi kokat tuaja”.

Edhe në këtë punën tonë, nuk ishte palla, ligje a përdorim fushate, që na bëri që të fitojmë zemrat e mbi 100.000 familjeve që përfunduan procesin çerek-shekullor të legalizimit të pronës së tyre. Ishte krahu, puna e përkushtimi i qindra djemve e vajzave që shkuan shtëpi më shtëpi cep më cep të Republikës, që na i dha këtë rezultat.

Do të rrojmë e do të shikojme që, edhe ne keto zgjedhje, kështu do jetë.

A.