Ndahet nga jeta balerini i njohur, Kujtim Hoxha. Lajmin e trishtë e ka dhënë Drejtoresha e Teatrit Operës dhe Baletit, Zana Çela.
Teksa iu shpreh ngushëllime familjarëve, Çela shkruan se Hoxha u shua sot në moshën 64-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë të cilën nuk e mposhti dot.
POSTIMI I PLOTË
Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të balerinit Kujtim Hoxha.
Kujtim Hoxha u shua sot në moshën 64 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë të cilën nuk e mposhti dot.
Kujtim Hoxha ka lindur në vitin 1956 në Tiranë. Ka filluar punë pranë institucionit të TKOB që në vitin 1975 si balerin pranë trupës së baletit të Teatrit të Operas pas mbarimit të Akademisë së Dancit. Që nga ajo kohë ka punuar me përkushtim duke filluar që nga Dekadat e përvitshme të Majit e deri tek shfaqjet e baletit të trupës së TKOB. Ka zbatuar me përpikmëri detyrat që i kanë ngarkuar koreografët, gjë që vërtetohet edhe me ecjen e tij profesionale duke filluar si kërcimtar trupe deri tek solist.
Krahas interpretimit si balerin në pjesën më të madhe të baleteve të vëna në skenën e TKOB me trupën e baletit, ka interpretuar dhe role solistike në baletet si: “Duarartët vigjilentë”, “Tokë e pamposhtur”, “Para stuhisë”, “Don Kishoti”, “Halili dhe Hajria”, “Arrëthyesi”, “Bajadera”, “Liqeni Mjellmave”, “Maxhordomi”, “Lumi i vdekur”, “Coppelia”, “Delina”, “Zhizel”.
Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë për përgatitjen e brezave të rinj si në mësimin e repertorit, ashtu edhe në rritjen cilësore për realizimin e roleve. Në vitin 2001, si rezultat i kësaj pune, ai u emerua përgjegjës i trupës së baletit. Që nga ky vit ka punuar pranë koreografit Agron Aliaj dhe koreografëve të tjerë edhe si koropetitor i veprave që viheshin në skenën e TKOB, në veprat si: “Rajmonda dhe Spartaku”; “Shehrezade”; “Caravaggio”; “Dansi i Puanteve”; “Migjeniana”, “Carmina Burana”; “Zhizel”; “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”; “Delina”; “Zorba”; “Coppelia”.
Gjatë gjithë karrierës së tij artistike në TKOB është karakterizuar nga impenjimi dhe korrektësia në punë. Ka patur marrëdhënie shumë të mira si me punonjësit e administratës ashtu edhe me artistët balerinë dhe të sektorëve të tjerë artistikë.
Shpreh me dhimbje te thelle ne emrin tim dhe artisteve e punonjesve te TKOB , ngushëllime familjes e miqve të shumtë të balerinit Kujtim Hoxha.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!