Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Mësohet se shkak për këtë shtyrje është bërë mosgjetja e dëshmitarit Avdyl Rama, të kërkuar nga prokuroria dhe mbrojtja.

Rama sipas prokurorisë ndodhte jashtë vendit ndërkohë që policia pretendon se është brenda vendit.  GJKKO ka kërkuar që policia të gjejë Avdyl Ramën dhe ta sjellë me forcë në seancë nëse nuk pranon të vijë vullnetarisht.

Sakaq, seanca e radhës është caktuar në 5 dhjetor ora 15:00.

Kujtojmë se Beleri ndodhet pas hekurave që prej 12 majit. Ai u arrestua dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale nga të cilat doli fitues me diferencë të vogël votash, në përballjen me socialistin Jorgo Goro.

Pavarësisht kësaj, Beleri, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ende nuk ka mundur të betohet si kryebashkiak, pasi drejtësia në disa shkallë ka refuzuar kërkesën e tij për të dalë nga burgu.