Një 25-vjeçare nga Durrësi dhe një 24-vjeçar nga Tirana kanë përfunduar në prangat e policisë në Pogradec.

Mësohet se shoferja durrsake nuk i është bindur urdhrit të efektivëve për të ndaluar dhe pas ndjekjes, brenda makinës së saj u kapën shtatë emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit, në bashkëpunim me 24-vjeçarin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

“U arrestuan shtetasja F. V., 25 vjeçe, banuese në Durrës dhe shtetasi Dh. B., 24 vjeç, banues në Tiranë.

25-vjeçarja është konstatuar në lagjen nr. 3, Pogradec, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, nga shërbimet e Policisë, të cilët i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, por kjo e fundit nuk iu është bindur urdhrit të tyre. Forcat e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe kanë bërë të mundur ndalimin e saj në afërsi të fshatit Memlisht, ku brenda mjetit iu gjetën shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, në bashkëpunim me shtetasin Dh. B., iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec.