Policia ka arrestuar një 32-vjeçar i cili nuk i ishte bindur urdhrit për të ndaluar dhe në përpjekje për t’u larguar ka aksidentuar punonjësin e Policisë.

Sipas burimeve zyrtare, 32-vjeçari që drejtonte mjetin, është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe heqjen e paligjshme të lirisë.

“Më datë 01.10.2020, rreth orës 12:00, në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, në një nga pikat e kontrollit e ngritura në kuadër të Planit të Masave, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri, shërbimet e Policisë i kanë shenjë një mjeti tip “Audi” për të ndaluar, por drejtuesi është larguar me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë Rrugore, i cili është dërguar në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.”, thuhet në njoftim.

Shërbimet e Policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe e kanë arrestuar në flagrancë shtetasin K. B., 32 vjeç, banues në Fushë Krujë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në vitin 2012, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Heqja paligjshme e lirisë”.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.