Ornela Lamaj ka përfunduar studimet e larta të nivelit Bachelor në Durrës dhe Master në Tiranë, por për shkak të një mospërputhje të diplomave nuk ia njohin shkollën dhe nuk mund të kryejë as stazhin një vjeçar, që më pas të fillojë punë.

Ajo është endur nga Universiteti i Durrësit tek ai i Tiranës për shkak të problemeve me dokumentet, por asgjë nuk po zgjidhej.

“Diploma nuk u mor parasysh as nga ministria, vitin e fundit humba dhe nënën time dhe vendosa të shkruaja një letër por me pak shpresë”, është shprehur vajza gjatë intervistës që zhvilloi me departamentin e Bashkëqeverisjes.

Ornela i ka drejtuar një letër platformës së Bashkëqeverisjes dhe pas pak kohësh i është zgjidhur problemi e tashmë ajo është e lirë të punësohet si mësuese e shkencave sociale. Ky rast është bërë publik nga vetë kryeministri Rama në faqen e tij në Facebook.

Kryeministri Rama shkruan për këtë rast, duke thënë se Ornela jo vetëm që tashmë është e lirë të punojë si mësuese e shkencave sociale, një profesionin për të cilin ka sakrifikuar shumë për t’u shkolluar, por i dha zgjidhje edhe 467 studentëve të tjerë si ajo.