Qytetarët e Iranit kanë ngritur dyshime për rolin dhe gjendjen e liderit të ri suprem, Mojtaba Khamenei, pasi deklarata e tij e parë zyrtare u transmetua në televizionin shtetëror vetëm në formën e një teksti të lexuar nga një prezantues.

“Madje nuk mendoj se ishte mesazhi i tij”, tha për BBC një grua rreth të 40-ave nga Teherani.

Që nga momenti kur u shpall pasues i babait të tij, ai nuk është parë publikisht dhe nuk është filmuar apo fotografuar, çka ka shtuar spekulimet se kush po e drejton realisht vendin.

“Kam ndjesinë se kontrolli i vendit është në duart e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC)”, tha ajo.

Në deklaratën e transmetuar të enjten, Khamenei u zotua se Irani do ta mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit për transportin ndërkombëtar, një veprim që mund të ndikojë në furnizimin global me naftë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Irani “nuk do të heqë dorë nga hakmarrja” për qytetarët e vrarë që nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, duke shtuar se reagimet e deritanishme përfaqësojnë vetëm “një pjesë të kufizuar” të asaj që mund të ndodhë më tej.

Megjithatë, mungesa e tij në publik ka ngritur pikëpyetje edhe mes qytetarëve.

“Ishte e çuditshme që ai nuk publikoi as edhe një mesazh zanor. Kjo ngriti dyshime për gjendjen e tij”, tha një tjetër banor i Teheranit rreth të 30-ave.

Një i ri në të 20-at u shpreh se ende nuk ka krijuar një opinion për liderin e ri. “Të them të drejtën, nuk dimë shumë për të”, tha ai.

Ndërkohë, një tjetër qytetar shtoi se nuk është “as i bindur që mesazhi është shkruar nga vetë Mojtaba Khamenei”.

Kontaktet me qytetarët brenda Iranit mbeten të vështira për shkak të ndërprerjes së internetit nga autoritetet, megjithëse disa arrijnë të lidhen përkohësisht me botën e jashtme përmes lidhjeve satelitore. Për arsye sigurie, komentet e tyre janë mbajtur anonime.

Pavarësisht pakënaqësive ndaj regjimit islamik që qeveris Iranin që nga viti 1979 dhe protestave të mëdha që përfshinë vendin më herët këtë vit, regjimi vazhdon të ketë edhe mbështetës.

Të premten, në qendër të Teheranit u zhvilluan tubime pro-qeveritare me rastin e Ditës së Kudsit, një aktivitet i organizuar çdo vit për të shprehur mbështetje për çështjen palestineze dhe kundërshtimin ndaj Izraelit. Shumë pjesëmarrës mbanin fotografi të Mojtaba Khameneit.

Në tubime u panë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të vendit, përfshirë presidentin Massoud Pezeshkian, ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, kreun e gjyqësorit Gholamhossein Mohseni Ejei dhe sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare Ali Larijani.

Në deklaratën e tij, Khamenei u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në tubime për të “përballuar armikun”.

Sipas pamjeve të verifikuara nga BBC Persian dhe BBC Verify, gjatë tubimeve në kryeqytetin iranian ndodhi edhe një shpërthim pranë turmës. Më herët, ushtria izraelite kishte paralajmëruar për evakuimin e një zone pranë vendit ku po zhvilloheshin tubimet.

Në një video, kreu i gjyqësorit Mohseni Ejei shihet duke dhënë një intervistë për televizionin shtetëror në momentin kur ndodh shpërthimi, ndërsa turma dëgjohet duke brohoritur “Allahu Akbar”.

Ndërkohë, ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, deklaroi se mijëra objekte civile, përfshirë shkolla dhe banesa, janë shkatërruar nga sulmet ajrore.

Organizata Human Rights Activists in Iran (HRANA) vlerëson se në konflikt janë vrarë rreth 1,800 persona, rreth dy të tretat e të cilëve civilë.

“Mesazhi ishte shumë radikal. Mendoj se tregon se asgjë nuk mund të ndryshojë nga brenda”, tha një burrë rreth të 30-ave në Teheran.

Një tjetër banor nga Karaj u shpreh se mesazhi tregoi se Republika Islamike do të vazhdojë të ndjekë të njëjtën linjë, pavarësisht se kush është lideri i saj.

“Prandaj bota duhet ta dijë se nuk mund të merret lehtë me këtë regjim”, tha ai.