Nga Mustafa Nano

Një shqiptar i latuar me banim në Amerikë, në një bisedë të rastit këto ditë, më bëri këtë pyetje: Është Shqipëria që po shthuret e po na ikën duarsh, apo është media që na e sjell të tillë para syve? Dhe me “Shqipëri të shthurur e të ikur duarsh” kish parasysh atë Shqipëri që ai e sheh të shumtën e kohës në gazeta e televizione, d.m.th Shqipërinë e sunduar nga tollovia, korrupsioni, padrejtësia, mjerimi, dhuna, vrasjet, etj., etj., e që, kur e sheh me sytë e vet, nuk është në gjendje të dallojë se ku media e tepron, nëse e tepron.

Ideja ime është që portreti i Shqipërisë i nxjerrë nga mediat nuk ndryshon shumë nga Shqipëria e njimendtë, dhe të paktën në këtë kuptim media nuk u ka ndonjë borxh shqiptarëve. Media jonë është shumë mëkatare (është një nga gjërat më të fëlligështa në këtë vend, dhe kjo është aq e vërtetë sa, edhe po të mos ekzistonin gazetat e televizionet, asgjë e keqe, ose asgjë më e keqe, nuk do na ndodhte; përkundrazi), por nuk do të ishte e drejtë ta shihnim si një gjë që na e sjell të shumëfishuar të keqen që shihet në realitet. Nuk është media që na stis e na servir një realitet të shëmtuar e të frikshëm. Përkundrazi, ka rrezik që media nuk na e sjell të plotë realitetin, që është bajagi më i shëmtuar sesa ai që duket në faqet e gazetave e ekranet e televizorëve.

Pyetjen që më bëri shqiptari nga Amerika ia kam bërë edhe vetes më parë në një numër rastesh, madje duke e ngritur shqetësimin në një nivel më të lartë: është bota që pa na ikën duarsh, apo është mass-media që e përcjell kot më kot këtë ide? Po e mbaj shqetësimin në këtë nivel, dhe kuptohet, diskutimi në thelb mbetet po ai.

Unë ditën e filloj duke u hedhur një sy gazetave online. E nis me gazetat më të rëndësishme të botës, e më pas hidhem në website-et në gjuhën shqipe. Dhe kam arritur në përfundimin se nuk ka mënyrë më të keqe për ta filluar një ditë. Gazetat të trishtojnë e të ligështojnë, dhe kjo nuk ndodh ngaqë ato zgjedhin për hesape të tyret të raportojnë lajme që të bezdisin, ta prishin kararin e të japin angështi, por ngaqë është kjo botë që është kështu si është, plot fanatizëm, injorancë, ligësi, është kjo lloj bote ku opinioni publik, tok me zgjedhësit e me të zgjedhurit, po idiotizohen gjithnjë e më shumë (e keni parë filmin Idiocracy? Jua sugjeroj ta shihni), ku çdo qerratá e marifetçi imazhesh e spektaklesh arrin të yshtë me “nuska batutash, fame, parash” mijëra e miliona njerëz, ku qindra miliona të tjerë s’e kanë për gjë të besojnë se e thotë Zoti që gruaja është inferiore dhe e dobët, e që prandaj duhet mbuluar me perçe, ku tregu po na imponon kriteret e veta (pasuria, numri i shitjeve, audienca e madhe) për të përcaktuar e vlerësuar se çfarë vlen e çfarë jo, etj., etj. Media nuk po bën gjë tjetër, veçse po fotografon atë që ndodh realisht në botë. Kështu e shoh unë, të paktën.

Po e ilustroj. Dhe jo me një gazetë dosido, por me gazetën “The Guardian”. Dje në mëngjes, mu në krye të faqes web të saj, njoftohej një intervistë me Abu Abdullah-un, njeriun e ISIS-it që tanimë është në një burg të Irakut, por që deri para se të arrestohej, një vit më parë, ishte dispeçeri i atyre që kishin vendosur të hidhnin veten në erë në emër të besimit të tyre. Nuk është se emërtimin “dispeçer” po ia vë unë. Jo, kështu e kanë quajtur, ngaqë ky ishte njeriu që “u ndante punën” kamikazëve, që u mbërthente bombën në brez, që bënte me ta një lutje të fundit drejtuar Zotit, e që u caktonte vendin, ku do duhej të bëheshin katërqind copa, një treg, një xhami, një postbllok policie etj. Kanë qenë 15 kamikazë që komunikimin e fundit në këtë botë e kanë pasur me dispeçerin në fjalë. Dhe viktimat e “martirizimit” të këtyre njerëzve kanë qenë mbi njëqind vetë. “I takoja ata që niseshin të martirizoheshin te pragu i derës, përshëndoshesha me ta, dhe i këqyrja me kujdes për të kuptuar nëse ishin gati. Pas kësaj, ulesha me ta për të bërë lutjen e për të lexuar Kuranin”, i rrëfen ai fare qetësisht gazetarit Martin Chulov. Dhe po kaq qetësisht, ai pohon: Kush ka gjetur vdekjen prej këtyre akteve, e ka pasur hak të vdesë; ndonjë i pafajshëm që ka qëlluar të jetë në vendin e gabuar do të shkojë me siguri në mbretërinë e Zotit”. Dhe në fund, ia bën: “Brerje ndërgjegjeje? As që bëhet fjalë. E kam bërë çdo gjë me ndërgjegje”.

Shkurt, ishte një intervistë që të trondiste. Por nuk mbaron këtu. Tek “The Guardian”, ngjitur me titullin e kësaj interviste ishte dhe një lajm i një natyre tjetër, që vjen nga një botë që nuk ka fare pika prerjeje me botën e ISIS-it. Pardje, u ndanë në Los Angeles çmimet e veprimtarisë së përvitshme muzikore, që njihet me emrin “MTV Video Music”, dhe nga raportimi që i bëhet kësaj veprimtarie, që është përveç të tjerash një paradë e festival banaliteti (apo jam unë demodé?), ne marrim vesh që Nicki Minaj mori çmimin për videon më të mirë të muzikës hip-hop të vitit, dhe që, pasi mbylli interpretimin e këngës së vet, ia bëri: Tani, kjo kurva që drejton spektaklin duhet ta sqarojë mirë atë që mendon për mua. Fjalën e kishte për kolegen e vet, Miley Cyrus. Dhe këtë mllef ndaj saj e kish lënë për ta nxjerrë në skenën e këtij show, që ndiqet live nga miliona vetë në botë. Ju kujton gjë ky muhabet kurvash mes këngëtarësh? Ah po, është një muhabet që është bërë këto ditë në Tiranë. Dhe duket sikur Nicki Minaj ka qenë e frymëzuar nga “gjuetia e kurvave” e nisur nga një koleg i saj shqiptar. Por kjo nuk ka sesi të jetë e vërtetë. Shtypin shqiptar nuk e lexon askush nëpër botë. Shyqyr!

Në po këtë gazetë, që është nga më seriozet në botë, ishte dhe lajmi tjetër i marrë nga i njëjti cirk i famshëm i botës së showbiz-it. Raper-i Kanye West, përndryshe burri i njërës prej motrave Kardashian, premtoi se në vitin 2020 do kandidonte për postin e Presidentit të SHBA-së. E kish seriozisht, hej. E kur kjo ndodh, nuk është se vetëm tek ai ka diçka që nuk shkon. Jo, ka diçka që nuk shkon te të gjithë. Fjala vjen, ai nuk do ta kish marrë guximin për ta thënë këtë gjë, nëse nuk do ish shfaqur fenomeni “Donald Trump”. Dhe ky fenomen i fundit nga ana e vet është rrjedhojë e një budallallepsjeje që po i bëhet opinionit publik nëpër botë. Në këtë pikë po, është e vërtetë, ka faj që ç’ke me të mass-media, por jo në faktin që raporton se Kanye West shpall kandidaturën për President të SHBA-së apo që Nicki Minaj i thotë kurvë Miley Cyrus-it.

Të merremi vesh. Që “The Guardian” e bën këtë gjë, është një gjë tronditëse, megjithatë. Mund të mos e bënte në respekt të emrit të vet, s’ka gjë se kjo nuk është se do zgjidhte ndonjë gjë. “The Guardian”, tok me gazeta të tjera prestigjioze, nuk mund të anashkalojnë lajme të tjera që janë të këtij lloji, si fjala vjen – e përmenda edhe më sipër – fakti i kandidimit të mizogjinit e racistit Donald Trump për postin e Presidentit të SHBA-së, fakti që ky është më i pëlqyeri deri më tani mes konservatorëve amerikanë, fakti që një kandidat tjetër republikan, Scott Walker, ka lënë të kuptohet se është i hapur ndaj idesë së ndërtimit të një muri në kufirin mes SHBA-së e Kanadasë (!!!), fakti që me mijëra arabë e myslimanë janë duke e sfiduar vdekjen në të gjitha mënyrat për të kapur Europën, ku rëndom vijnë – këtë kanë treguar sivëllezërit e tyre që në Europë kanë ardhur më përpara – jo për të ndërtuar një jetë të ndryshme në Perëndim, por për t’u getto-izuar brenda shoqërive perëndimore, fakti tjetër që europianët nuk kanë mundur të gjejnë dot një përgjigje tjetër në këtë rrethanë, veçse … ndërtimin e mureve. E kështu me radhë. Afërmendsh, këto nuk janë lajme të shpikura me qëllimin për të kapur e rritur audiencën (siç ndodh zakonisht këtej nga ne). Jo, janë lajme nga fillimi deri në fund. Dhe është pikërisht ky fakt që të trishton më shumë. Duket sikur bota po bie në dorë të fanatizmit e të vulgaritetit.

Atëherë? Atëherë nuk është media që s’është në rregull. Ose ta themi që nuk është vetëm media. Kjo e fundit duhet fajësuar që vihet në shërbim të establishmenteve sunduese (politike e financiare) e që po demonstron se ka gjithnjë e më pak kokëçarje të natyrës deontologjike, por jo për fabrikimin e ndonjë realiteti të frikshëm. Ky realitet i frikshëm ekziston për hesap të vet.

2 shtator 2015, marrë nga “Shqip”