Artisti i suksesshëm në botën muzikore ka rrëfyer raportin me familjen e tij, tre vëllezërit dhe babanë.

I ftuar mbrëmjen e sotme në “A live night”, Albani tha se me tre vëllezërit e tij ka marrëdhënie fantastike, pavarësisht se nuk flasin çdo ditë.

Këngëtari tha se vetë ai është kombinimi i dy prindërve të tij, ku nga babai ka marrë dëshirën për art, ndërsa nga nëna pjesën e ndjeshmërisë.

“Jemi katër vëllezër. Nuk jemi pak fëmijë. Fatmirësisht, në natyra jemi të ngjashëm në të mirat dhe në ato problematikat tona se nuk po them të këqijat. Jemi të ndjeshëm, jemi të arsyeshëm, tolerant dhe të kuptueshëm sa edhe solitar si natyra. Nuk jemi ata vëllezërit që dëgjohen çdo ditë, por e kemi marrëdhënien shumë të pastër. Nëse flasim njëherë në muaj është e shëndetshme. Unë jam një kombinim i te dy prindërve. Vëllezërit e mi, njëri plus njëri minus anojnë pak nga njëri pak nga tjetri. Unë jam kombinimi i të dyve. Nga babi kam marrë dëshirën për art, dëshirën dhe nevojë për tu thelluar në mendime. Nga mami kam marrë pjesën e një ndjeshmërie tjetër, nuk di si ta shpjegoj. Ajo ka qenë sa e dashur dhe e fortë, sa e ndjeshme dhe e brishtë aq edhe stoike. Ky është një kombinim që unë herë pas here e vë në veprim dhe në jetë, dhe më kujton shumë atë në mënyrën sesi ajo kishte qasjen ndaj rrjedhave të jetës”, tha Albani në “A live night”.