Fatmirësisht nuk ka asnjë shqiptar të lënduar nga sulmi terrorist në Mançester. Lajmin e bëri publik Ministria e Jashtme, e cila dënon po ashtu sulmin në “Mançester Arena”, ku humbën jetën 22 persona dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Jashtme thotë se dënon në termat më të ashpra aktin barbar.

“Ministri Bushati u shpreh i trishtuar nga sulmi dhe duke shprehur solidaritetin për qëndresën ndaj këtij akti barbar, u transmetoi ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave. Shqipëria do të vijojë të qëndrojë me vendosmëri përkrah vendeve mike dhe aleate në çdo përpjekje në luftë kundër akteve të tilla”, thuhet në njoftim.

Ambasada e RSH-së në Londër po e ndjek situatën në vijimësi dhe nga informacionet e deritanishme nuk rezulton të ketë shtetas shqiptarë të lënduar. Ambasada në Londër është në komunikim të vazhdueshëm me organet policore.

Ambasada shqiptare në Londër ka vënë në dispozicion edhe një numër emergjencë  +44 (0) 75 18662630