3dhjetor 2015 – Teuta dhe Tirana ndanë nga një pikë mes tyre pas një ndeshje të përfunduar 0-0, ku rezultati i bardhë nuk pasqyron atë që ekipet dhuruan në fushë, me skuadrat që krijuan jo pak por pa arritur të shënojnë dot, ku rasti më flagrant ishte ai i Hysenit në minutën e 93-të.

Një pikë që i shërben më shumë Teutës sesa Tiranës që vazhdon të jetë për momentin disi e shkëputur nga vendi i 3-të në renditje që mbahet pikërisht nga ana e durrsakëve. Dy rivalet e drejtpërdrejta për një vend në Europë vinin në këtë sfidë pas një ecurie relativisht pozitive, me Tiranën që në pesë ndeshjet e fundit ishte mundur  vetëm me Skënderbeun, ndërsa durrsakët regjistronin 5 fitore radhazi mes Kupës e Kampionatit.

Fillimi i ndeshjes ishte i denjë për një përballje të tillë, me Tiranën që ishte paksa më kërkuese, aq sa në të minutat 5-të dhe 7-të bardheblutë iu afrua golit me Bakajn dhe Likën, ku sidomos rasti i këtij të dytit ishte i shkëlqyer, por Mocka reagoi mjaft mirë. Në të 29-tën, Teuta pati një mundësi të mirë pas një shpërthimi të Maganit, por mbrojtja e Tiranës arriti të mbyllë. Pak sekonda më pas Mocka ju përgjigj sërish Likës, që lëshoi një goditje spektakolare, ndërsa në të 32-tën ishte Bakaj që priti goditjen e Hodos, që nuk goditi ashtu sic duhet dhe pse ishte i lirë në zonë. Në fundin e pjesës së parë Teuta ju afrua ndjeshëm golit.

Në të 42-tën Musta gjeti rrjetën e jashtë ndërsa 3 minuta më pas po Musta pa Bakajn t’i devijonte mbi vijë një gol të sigurtë. Në pushim u vajt pa gola, ndërsa nga dhomat e zhveshjes ekipet dolën të vendosura për të marrë epërsinë dhe pse në fakt nuk e kishin rregulluar shënjestrën. Në të 63-tën, Lamjca u ndalua nga traversa ndërsa në të 67-tën, Bakaj goditi jashtë kuadratit, ashtu sic bëri dhe në të 75-tën. 10 minuta më pas Bakaj, arriti të shënojë, vetëm se ishte në pozicion jashtë loje. Gjithsesi raastin më të mirë të ndeshjes e humbi Teuta në minutën e 93-të, kur Hyseni gaboi në mënyrë të pabesueshme nga dy hapa.

Ky ishte rasti i fundit në këtë ndeshje, me dy ekipet që në fund morën nga një pikë, që në fakt ishte rezultati më i drejtë për atë ekipet dhanë në fushë. /supersport/