Ndërsa vijon ende eliminimi i pulave të ngordhura, zv. ministrja e Bujqësisë Ermira Gjeci thotë se nuk janë raportuar raste të reja me gripin e shpendëve si dhe siguron se nuk ka asnjë rrezik për konsumimin e mishit dhe vezëve.

 “Për situatën e gripit të shpendëve nuk kemi pasur asnjë rast të ri pozitiv. Po ashtu nuk kemi pasur denoncime. Në të gjithë territorin, vijon procesi i eliminimit dhe groposjes së shpendëve të ngordhur duke zbatuar rregullat e mirëqenies së kafshëve.. Jemi në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë territorin. Ushqimet në tregun tonë janë të sigurta për konsumatorin, nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe i vezëve”, tha  Ermira Gjeci.

Por në vend ka ende kafshë të gjalla që duhet të eleminohen për të ndaluar përhapjen e mëtejshme.

“Ne jemi në procesin në kompleksin në Xhafzotaj që është proces i gjatë, ka kafshë ende të gjalla që kanë destinacion eliminimin e tyre dhe procedura kërkon që të eliminohen gradualisht dhe të groposen, në të kundërt shkaktojnë problematika. I gjithë procesi i groposjes merr kohë, nga 5-6 ditë. Lidhur me vatrat e tjera, janë të pastruara, kanë numër të vogël të ngordhjeve por duhet të vijojnë me protokollin e dezinfektimit”, u shpreh Gjeci, zv.ministre e Bujqësisë.

Ajo bën me dije se janë marrë masa për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjedise të hapura të pamiratuara për shitjen e tyre.