Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Tiranën në “Air Albania”. Po në barazim  përfundoi edhe dueli mes Kukësit dhe Teutës, me skuadrat që ndajnë kështu nga një pikë në javën e 15-të.

Tashmë për dy prej këtyre skuadrave nuk do të ketë pushim. Partizani dhe Teuta do të duelojnë mes tyre për llogaritë e javës së parë të Superiores. Demat dhe durrsakët do të vihen përballë ditën e enjte.

Kjo sfidë do të luhet në “Niko Dovana” duke nisur që nga ora 17:00. Të dyja ekipet do të kërkojnë rikthimin te fitorja, me të kuqtë që synojnë të ngushtojnë diferencën me Egnatian, ndërsa “djemtë e detit” për të dalë nga zona e ftohtë e renditjes. Kujtojmë se kjo përballje u shty nga FSHF-ja për shkak të angazhimit të Partizanit në Conferencë League, aktivitet ku demat ishin pjesmarrës.