Edhe pse të dielën Teuta mori një fitore me shumë vlera kundër Vllaznisë në “Niko Dovana”, stafi teknik me në krye trajnerin Gugash Magani, vendosi që skuadra të kthehej menjëherë në fushën e blertë. Kështu të hënën paradite, “Djemtë e detit” zhvilluan seancën e parë stërvitore në kuadër të përballjes me Flamurtarin.

Në dispozicion të stafit teknik ishte i gjithë grupi i futbollistëve, me përjashtim të portierit Shpëtim Moçka, që për arsye personale nuk ishte prezent me ekipin. Lojtarët, që ishin në fushë kundër Vllaznisë, zhvilluan vetëm disa vrapime rreth fushës dhe ushtrime shkrydhëse, ndërsa pjesa tjetër punoi si zakonisht me ngarkesë të plotë. Dy fitoret e fundit kanë rritur ndjeshëm moralin dhe entuziazmin në ekip, me lojtarët që e shfaqin që në komunikim me stafin teknik apo me njëri-tjetrin.

Gjithsesi për durrsakët tani fillon më e vështira, me trajnerin peqinas që duhet ta mbajë të karikuar skuadrën dhe me këmbë në tokë. Në ambientin durrsak të gjithë kërkojnë vëmendje dhe seriozit, pasi tani fillon më e vështira. Në Vlorë i pret një kundërshtar tepër i vështirë, që për momentin ndodhet në vend të dytë pas një ecurie të shkëlqyer. Magani dhe stafi i tij kërkojnë nga lojtarët impenjim maksimal.