Nga Rivelino Çuno, kryetari i PEISH-it

Çfarë po ndodh sot në Shqipërinë e mijëvjeçarit të III-të? Individi me ndjesi superlative dhunon, vret pa të keq njerëz të pafajshëm e të pambrojtur, bashkëqytetarë të vet, dikush i vë zjarrin lagjeve të romëve natën në errësirë dhe krijon panik , pasiguri, ankth për jetën. Shoqëria hesht, jeta vazhdon. Nga ana tjetër, forcohen stereotipet e trashëguara për shtresa të margjinalizuara inferiore, por shumë paqësore, në varfëri të tejskajshme, që krijojnë lagje geto në mes të kryeqytetit të Shqipërisë, të braktisur, të lënë pas dore, të anashkaluar, të paregjistruar, të paarsimuar, të papunësuar, të pastrehuar, pa politika të mirëfillta sociale të zbatueshme për zbutjen e varfërisë ekstreme të tyre.

Kush do të paguajë dhe kujdeset për ekologjinë shpirtërore të tyre, të lodhur, të stresuar, me sy të përlotur, të traumatizuar nga veprime arbitrare të urdhrave verbalë të njerëzve "kompetentë", duke u shkelur kodin e familjes, të drejtën e Nënës, Gruas, të drejtën e Rinisë, të drejtën e fëmijëve, të territorit dhe ambientit, të drejtat e kulturës së trashëguar e prejardhjes…? Të gjitha këto veprime përbëjnë, në të mirë e në të keq, bashkëjetesën e prezencës së diversitetit kulturor të shoqërisë.

E gjithë shoqëria në Shqipëri duhet të mbajë qëndrim dhe të ndalojë veprimin negativ, anti-njerëzor se një ditë prej ditësh të gjithë do kemi të njëjtën vuajtje, atëherë do të jetë tepër vonë, për gjithsecilin nga ne.

Për rastin konkret që po zhvillohet me komunitetin rom në Tiranë, organet kompetente të shtetit të kryejnë detyrën me ndershmëri dhe transparencë, për të vendosur besueshmërinë te drejtësia. Tashmë në sytë e qytetarëve dhe të ndërkombëtarëve dinjiteti i saj si institucion (Strategjia e Romëve), është të ndërpresë veprimet e mëtejshme negative, për një kohë sa t’i sistemojë përgjithmonë me strehim legal, duke planifikuar kuota strehimi, kuota punësimi e kuota arsimimi. Kur institucionet reagojnë pozitivisht është gjysma e të keqes, por në të shumtën e rasteve të ngjashme kalojnë me heshtje.