“Gratë në politikë duhet të ndërgjegjësohen për fuqinë e tyre për të vetvendosur se kush do t’i përfaqësojë ato. Mendoj se kjo duhet të arrihet nëpërmjet meritokracisë”,- shprehet Shpresa Sagajeva, drejtoresha e Zyrës së Shërbimit Turistik pranë qarkut të Durrësit. Sipas saj, ndërhyrja e bërë në Kodin Zgjedhor për përfaqësimin e grave në Parlament garanton demokratizimin e mëtejshëm të këtij institucioni.

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Për një grua çdo mënyrë jetese ka vështirësitë e veta, por po të jesh grua në karrierë, sidomos në Shqipëri, këto vështirësi shumëfishohen. Pikë së pari do të doja të theksoja faktin e një opinioni gjithëpërfshirës abuziv mbi to. Shumë shpesh toleranca, një virtyt i lindur me femrën, në të shumtën e rasteve merret për dobësi. Agresiviteti në raste të veçanta merret si prepotencë. Gjatë gjithë eksperiencës së jetës ka njohje, përplasje, luftë dhe paqe, por debati kurrsesi nuk degjeron në dhunë sikundër vihet re tek meshkujt. Nuk ka të drejta që fitohen lehtë pa përpjekje dhe mund. Në rastin tonë ato janë shumëherë më të mëdha. Personalisht besoj shumë në punën në skuadër, anoj më tepër nga praktikja sesa teorikja në punën e përditshme. Këtë gjë jam përpjekur t’jua imponoj në njëfarë mase edhe vartësve të mi.

Ka raste që ndodhesh nën presion, nga njëra anë e eprorit dhe nga ana tjetër e vartësit. Jo çdo punë kryhet me efektivitetin e duhur. Por siç përmenda edhe më sipër kam arritur të gjej gjuhën e përbashkët në mirëfunksionimin e punës. Një përshëndetje e ngrohtë në mëngjes është një fillim i mbarë i punës. Agresivitet ka, por në raste të rralla, kur më është dashur domosdoshmërisht të marr masa mbi mbarëvajtjen e punës. Theksoj që nuk kanë qenë asnjëherë kënaqësi, por përgjegjësia duhet mbajtur. Bashkëpunimi me vartësit dhe nga ana tjetër me eprorët ka qenë në të shumtën e kohës efiçent dhe efektiv. Në punën time asnjëherë nuk kam lejuar të tjerët të mendojnë apo edhe vetveten të dyshojë se të qenurit femër mund të më stepë në kryerjen e saj.

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Sigurisht që po. Por asnjëherë në sensin negativ të fjalës. Flitet ose kemi dëgjuar që ndodh. Jo në rastin tim. Sakrificë për mua kanë qenë qëllimet e mia në jetë, prioritetet që i kam vënë detyrë vetes, sepse më është dashur shumë mund për t’i realizuar ato. Vështirësi kam patur gjatë gjithë rrugës sime, por kurrë në jetë nuk i kam arritur qëllimet e mia pavarësisht mjeteve. Mjetet gjithmonë kanë qenë ndërgjegjia ime. Gara është e hapur për të gjithë. Karakterizohem si një femër e fortë që nuk imponohet kollaj. Para gjithçkaje është uni im, mënyra se si i shoh qëllimet të realizohen. Kam ndjekur rrugën time ashtu siç e kam zgjedhur vetë. Pavarësisht uljeve dhe ngritjeve kam gjetur sërish forcën për të shkuar përpara.

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Sigurisht. Përshtypja e parë ka bërë që ta mendojnë. Por gjatë punës është vënë re se kam pasur të njëjtën forcë për të vazhduar dhe asnjë hap mbrapa.

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Në rastin tim shumë të mira. Për mos të thënë shumë më tolerante. Në një shoqëri dërrmuese patriarkale, ku gruas i duhet të përballojë shumë më tepër detyra në familje për shkak të egos së bashkëshorteve mundohem t’u gjendem pranë. Të kalosh një pesë minutësh me vartësin tënd duke diskutuar për probleme të ndryshme familjare, nuk mund ta dëmtojë kurrsesi punën, përveçse mund t’i bëjë ata më të devotshëm në punë. Motoja më e mirë në punë për mua është krijimi i një atmosfere besimi reciprok dhe ndihmues. Në rastin e vartëseve femra në momentin që flasim, por edhe me të tjera që kam bashkëpunuar më herët kam dhe kam ruajtur marrëdhënie të mira. Jam kujdesur shumë për motivimin e tyre në marrjen e vendimeve, jo më pak edhe për vartësit meshkuj. Nuk mendoj që fakti i të qenurit femër në marrjen e përgjegjësive mund t’i mposhtë ato. Përkundrazi i shton elokuencën dhe delikatesën e duhur.  

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton? 

Duke thyer një tabu të vendosur në dy dekadat e fundit e shoh shumë pozitive ndërhyrjen që u bë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 me vendosjen e 30% të pjesëmarrjes së femrave, si kusht bazë në listat proporcionale. Ishte e domosdoshme të ndërhyhej për t’u dhënë mundësinë për shanse të barabarta. Vendet që kalojnë 30 % e femrave në parlamentet e tyre janë më shumë demokratike dhe më pak diskriminuese. Për vetë natyrën e saj femra ka perceptim ndryshe mbi  prioritetin e politikave. Sigurisht duke i parë në një këndvështrim tjetër të gjitha problemet që na rrethojnë. Sepse pavarësisht të qenurit një grua në karrierë ajo është një nënë, një bijë e një motër.

Kjo pjesëmarrje e tyre garanton mbrojtje direkte të të drejtave të tyre. Por përpos kësaj mënyre të impononuar, i qëndroj faktit që në të ardhmen ky fakt duhet të anashkalohet. E drejta e përfaqësimit duhet të bëhet e mundur nëpërmjet një gare të hapur si brenda partive politike ashtu edhe në pozicione të ndryshme drejtuese. Gratë në politikë duhet të ndërgjegjësohen për fuqinë e tyre për të vetvendosur se kush do t’i përfaqësojë ato. Mendoj se kjo duhet të arrihet nëpërmjet meritokracisë. Historia botërore ka treguar zonja të forta që kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve si Teuta jonë apo Margaret Thatcher e etiketuar ndryshe edhe si gruaja e hekurt. Përfundimisht atë që mund ta arrijmë me forcat tona s’ka pse të na dhurohet.