Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka vendosur këtë të premte shkarkimin e gjyqtarit të Apelit të Durrësit Besim Trezhnjeva.

Dy ditë më parë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në seancën dëgjimore me gjyqtarin e Durrësit, Besim Trezhnjeva deklaroi se ai ka fshehur pasurinë dhe se deklarimi që ka bërë nuk përputhet.

Trezhnjeva tha pas përfundimit të seancës se nuk i është llogaritur pasuria që ka vënë nga vitet 1981- 1994 kur ka punuar me bashkëshorten.

Pas dhënies së vendimit, avokati i gjyqtarit Trezhnjeva, Fatmir Braka tha për gazetarët se vendimi është krejtësisht i padrejtë dhe i parregullt, dhe se do ta apelojnë.

“Ka një vlerësim të fundit të komisionit që thotë se ka diferenca, dhe njëkohësisht ekspertim të kryer nga ekspertë kontabël, me të cilën shifrat janë diametralisht të kundërta. Ne kërkuam që të bëhej ekspertimi që ishte gjëja më minimale për një proces të rregullt që quhet sot rëndom, ligjor, të na i pranonte Komisioni. Nuk na i pranoi, kështu që vendimi na u duk i padrejtë, i parregullt”.