DurrësLajm ka qenë sot në familjen Shaholli, në zonën e ish-kënetës në Durrës, aty ku 4 ditë më parë u konsumua një krim makabër. Bashkëshorti Çlirim Shaholli vrau gruan e tij, nënën e 6 fëmijëve. Në shtëpinë e familjes së varfër jetojnë 6 fëmijët e çiftit dhe 2 prindërit e moshuar të Çlirim Shahollit.

Adriana Shaholli, pasi është larguar nga kjo botë e vrarë mizorisht nga burri i saj, të vetmen pasuri që u ka lënë fëmijëve janë disa pako me sheqer dhe makarona, që ia ka dhuruar një organizatë humanitare si dhe disa mobilje që u përkasin dekadave më përpara.

Banesa është me soletë dhe brenda është e pa suvatuar. Ndërsa nuk ka as tualet, ashtu siç nuk ka ujë dhe drita.

E përpos mjerimit të skajshëm, plaga e shkaktuar 3 ditë më parë është shumë e madhe për 6 fëmijët e çiftit dhe dy të moshuarit Zaimin dhe Naimen.

Nga sytë e 77-vjeçarit Zaim Shaholli dalin vetëm lot. “Ajo që bëri im bir është e pafalshme, nuk kam më djalë dhe nuk do t’i shkoj për ta vizituar në burg. Nuk do ta ndjek as në gjyq. E hoqa pensionin tim nga goja që të rrisja fëmijët e tij. Kam hëngër bukë vetëm me qepë, kurse ai shkoi e vrau gruan. Nuk ia fal”, thotë i moshuari për DurrësLajm.

Edhe bashkëshortja e tij thotë se është përpjekur që djalin ta çonte në rrugë të drejtë, por ai nuk punonte.

“Kishte një vit që grindej me të shoqen, por nuk e mendonim se do të shkonte deri këtu. Fëmijët janë shumë të prekur. Kush do t’i ndihmojë se janë pa shtëpi. Ky është meraku im më i madh, se unë jam e moshuar tani”, thotë Naimja.

Gjyshërit e 6 fëmijëve të mbetur jetimë apelojnë që njerëzit të vënë dorën në zemër dhe të ndihmojnë këta të mitur që humbën nënën dhe babai përfundoi në burg.

K.H.