Dy vite pas tërmetit shkatërrimtar, banorët e pallatit nr. 21, në lagjen nr.7, Durrës kanë protestuar sërish para bashkisë.

Nën reshjet e dendura të shiut, ata ngritën zërin për mosndërtimin e pallatit të tyre, i shembur 1 vit e gjysëm më parë dhe mungesën e një përgjigje konkrete nga institucionet.

“Neve jemi në qiell të hapur. Na kanë dhënë bonusin, deri dy muaj më parë. Dëgjojmë shpesh, ne bonusin po jua japim. Ne nuk duam bonusin, duam shtëpinë tonë”,– thotë një nga banorët.

“Ishim te urbanistika, na thanë shkoni te prefektura. Llogarisni moshën tonë duke u sorrollatur në shi. Na thanë, e ka filani, se ka filani”,- thotë një tjetër.

E vetmja gjë që ata kanë deri tani është një foto nga maketi i pallatit që do të rindërtohet, por sipas banorëve, ata nuk kanë nevojë për projekte të bukura, por që t’u ndërtohet pallati.

Na çojnë një foto, na thonë ky është pallati. Po na mbajnë me rrena. Ne s’jemi fëmijë të na gënjejnë“,- thotë një e moshuar.

Deklarata e zv/kryeministrit Ahmetaj në Kuvend se procesi i rindërtimit do të përfundojë në shtator 2022, i bën banorët të ndihen skeptikë.

Ahmetaj na thotë deri në shtator 2022 s’do ketë më gjurmë tërmeti. S’kemi nevojë për fjalë të mira, duam vepra. Durrësin e kanë lënë pas dore, nuk dihet kur do fillojnë”,- thotë një nga banoret.

Duke parë ecurinë e procesit të rindërtimit në Durrës dhe faktin se dy pallate që po rindërtohen nuk kanë përfunduar ende 1 vit e gjysëm pas nisjes së punimeve, ata i presin me mosbesim deklaratat e qeveritarëve.

M.B.