Një avion i kompanisë ajrore “Air India”, i nisur nga Phuket i Tajlandës drejt kryeqytetit indian New Delhi, u detyrua të kryente një ulje emergjente pas një kërcënimi për bombë në bord, raportoi agjencia Reuters. Ngjarja ndodhi të premten, ndërsa autoritetet e aeroportit konfirmuan se të gjithë 156 pasagjerët u evakuuan në mënyrë të sigurt, në përputhje me protokollet e emergjencës.
Fluturimi AI 379 ishte ngritur në orën 9:30 të mëngjesit, por pas disa manovrimeve në ajër mbi Detin Andaman, u rikthye për ulje në Phuket. Informacionet nga platforma e ndjekjes së fluturimeve Flightradar24 tregojnë trajektoren e pazakontë të avionit përpara se të zbarkonte sërish në ishullin jugor të Tajlandës.
Ky incident ndodh vetëm një ditë pas një tragjedie tjetër që përfshiu një tjetër avion të “Air India”, i cili u rrëzua pak pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit, duke shkaktuar humbjen e jetës së 241 personave që ndodheshin në bord.