Shtëpia e të moshuarve në Fier është përfshirë nga flakët pasditen e sotme, duke vënë në rrezik 51 të moshuarit në azil. 

Mësohet se 16 prej tyre janë dërguar në spital pasi kanë shenja asfiksie. 

Ndërsa dy prej të moshuarve kanë treguar se si tymi mbushi ambientet e azilit. 

“Shumë keq, ishim të gjithë brenda. Shyqyr që nuk ra natën! Një panel elektrik bëri masë, shkëndijë dhe u ndezën ca materiale atje mbrapa dhe ka ardhur i gjithë tymi brenda. U bllokuan komplet. Erdhi policia e i nxorën, dolëm të gjithë jashtë dhe jemi shëndosh e mirë. Asnjë nuk është prekur as sa maja e thoit, kemi shpëtuar shyqyr Zotit. U frikësuan se të frikëson më shumë ajo e bërtitura, gratë andej e burrat këtej”,-tha njëri prej tyre. 

Ndërsa një e moshuar tjetër thotë se kjo është hera e parë që ndodh një incident i tillë në shtëpinë e të moshuarve në Fier. 

“E pashë tymin, thashë mos është tym i lehtë se gjithmonë bie ajo për një incident të vogël. Bie sirena dhe kur e pashë se po trashej i thashë Ferides, shoqes së dhomës çohu se po mbushet shtëpia me tym. Ikëm avash avash poshtë tek shkallët. Nuk mbusheshim dot me frymë, flaka sa vinte e më lart. Pastaj erdhën e kontribuan të gjithë, u trembëm se s’kishte ndodhur ky incident ndonjëherë. Si këtë radhë s’ka bërë vaki, kam bërë 6 vjet. Shkëndijat elektrike ça s’mund të japin.”