Lotar Mateus dhe Hasan Salihamixhiç janë përplasur verbalisht në lidhje me situatën që po kalon Bajerni i Mynihut.
Drejtori sportiv i skuadrës gjermane tha pas ndeshjes me Salcburgun se nuk i merrte fare në konsideratë fjalët e ish-kapitenit dhe se ai duhet të hiqte dorë nga kritikat për lojtarët e skuadrës bavareze, të cilat në ditët e fundit kanë qenë të shpeshta duke parë dhe rezultatet jo të mira.
“Nuk më plas fare se çfarë mendon Mateusi për ne. Ai bën mirë që të shohë punën e tij. Nuk ka pse të merret me komentet për lojtarët tanë. Kjo nuk i shërben askujt për momentin”, tha Brazo.
E menjëhershme ishte dhe kundërpërgjigjja e Mateusit, i cili tha se: “Puna ime si gazetar dhe opinionist është të gjykoj perfomancat e skuadrave. Hasan, Nagelsman dhe Kimish e pranuan vetë se në Bohum bënë një ndeshje të dobët dhe se pajtoheshin me çdo kritikë. Që Bajerni ka një problem në mbrojtje nuk është një sekret.
Unë thashë vetëm realitetin dhe ndoshta Salihamixhiç prandaj reagoi kështu pasi e di që realiteti është kështu. Hernandez dhe Upameçano janë për momentin jashtë forme, Zyle bëri një ndeshje të dobët në Salcburg ku Bajerni rrezikoi të humbiste 2- 0 në fund.
E di që Salihamixhiç kërkon të mbrojë lojtarët, por sulmet ndaj meje nuk janë mënyra e duhur. Ai duhet të mësohet të ketë më shumë respekt për ne. Unë prej kohësh kam thënë që Bajerni është favoriti kryesor për të fituar kampionatin dhe Champions-in.
Por kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet, atëherë këto gjëra duhen thënë. Unë nuk paguhem për të thënë vetëm gjëra të mira për skuadrat, por për të thënë realitetin sipas perceptimit tim”, tha Mateus për “Sky Sport”.





