Pas takimit me kreun e UEFA, Aleksandër Ceferin gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë, kryeministri Edi Rama reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ku zbuloi dhe temat kryesore të takimit.

Sipas Ramës me Ceferin është rënë dakord që procesi i zgjedhjeve për FSHF-në të jetë sa më i besueshëm, dhe të përfshihen të gjitha palët.

“Takimi sot me Presidentin e UEFA-s s’mund të ishte dot më i mirë për qëllimin e përbashkët të zhvillimit në Tiranë të finales së parë europiane në histori, si dhe të realizimit të një procesi të besueshëm për të gjitha palët e përfshira në zgjedhjet e reja të #FSHF #FairPlay”, shkruajti Rama në një postim në Twitter.

Rama i ka dhënë garanci kreut të UEFA-s se do të mbështesë futbollin dhe nuk do të ketë më ndërhyrje politike në vazhdimësi, duke nënkuptuar dhe ndërhyrjen deri tani të politikës mbi procesin zgjedhor.