Nga Ilir Beqja
Në një shkrim lidhur me angazhimin e PS për sistemin shëndetësor në një të përditshme të ditës të shtunë, Tritan Shehu shkruan midis të tjerash…:
“Z. Rama thotë se dëshiron ta shkatërrojë këtë sistem financimi për të arritur përsëri te “mbulimi universal”, që tashmë funksionon te ne, duke i siguruar krejt të ardhurat vetëm nga taksimi i përgjithshëm, gjë që në fakt është një utopi e “socializmit real””.
Ja çfarë përcaktohet në ligjin aktual për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Po i ndihmoj lexuesit me nenet 3 dhe 5 të ligjit.
LIGJ Nr.10 383, datë 24.2.2011
PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Neni 3
Përkufizime
2. “Persona ekonomikisht aktivë” janë të gjithë personat e punësuar, të vetëpunësuar, punëdhënësit dhe persona me të ardhura të rregullta nga pasuritë e luajtshme e të paluajtshme dhe burime të tjera të krahasueshme.
3. “Persona ekonomikisht joaktivë” janë të gjithë personat, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga buxheti i shtetit ose burime të tjera, të përcaktuara me ligj.
Neni 5
Personat e siguruar
2. Sigurimi i detyrueshëm shëndetësor mbulon, gjithashtu, kategoritë e mëposhtme të personave ekonomikisht joaktivë, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga Buxheti i Shtetit ose burime të tjera të përcaktuara me ligj:
a) personat që përfitojnë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
b) personat që përfitojnë ndihmë ekonomike ose pagesën për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin përkatës;
c) personat e regjistruar si të papunë-punëkërkues në Shërbimin Kombëtar të Punësimit;
ç) shtetasit e huaj azilkërkues në Republikën e Shqipërisë;
d) fëmijët nën moshën 18 vjeç;
dh) nxënësit e studentët nën moshën 25 vjeç, me kusht që të mos kenë të ardhura nga veprimtari ekonomike;
e) kategori personash që përcaktohen me ligje të veçanta.
Pra, kushdo që ka sy të lexojë dhe mendje të kuptojë përmbajtjen e përcaktimeve të mësipërme, merr vesh se në Shqipëri nuk ka mbulim universal të kujdesit shëndetësor.
Aktualisht, në fshat deklarohet se janë të punësuar 520 mijë vetë (pra këta nuk janë as punëkërkues të papunë, as përfitues të ndihmës ekonomike, as persona me aftësi të kufizuar) dhe paguajnë kontribute të detyrueshme (pra konsiderohen të siguruar) 47 mijë vetë. Për pasojë në fshat mbeten të pasiguruar 473 mijë vetë në moshë pune. Duke i shtuar edhe të pasiguruarit në moshë pune ne sektorin urban të ekonomisë numri i personave të pasiguruar bëhet shumë më i madh.
Prandaj, ne theksojmë se, qoftë në letër, në Shqipëri nuk ka mbulim universal të të gjithë popullsisë me banim të përhershëm.
Zoti Shehu rreket të merret me fjalën mall, por dua t’i kujtoj se edhe e mirë publike (public good) nuk është term as marksist dhe as enverist. Mesa duket të vetmet njohuri për kapitalizmin, zoti Shehu i ka nga koha e studimeve të ekonomisë kapitaliste dhe socialiste në vitet 70-të. Ne nuk flasim për “treg shëndeti”, por treg të ofruesve të shërbime shëndetësore. Ky është dallim thelbësor. Më tej, përderisa deklarojmë se Shërbimi Shëndetësor Kombëtar do të jetë blerësi i shërbimit, kemi pranuar blerjen. Dhe blerja bëhet për diçka që ka të paktën kosto. Pra, pranojmë që shërbimi shëndetësor kushton.
Pjesa më spekulative në shkrimin e zotit Shehu është gjoja kopjimi nga socialistët i programit të demokratëve. Kujdesin shëndetësor me mbulim universal nëpërmjet blerjes nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar të financuar nga taksimi i përgjithshëm dhe të ofruar sipas nevojës për çdo shqiptar me banim të përhershëm në Shqipëri, ne e kemi ofruar në programin elektoral të 2009 dhe miratuar në programin politik të 2011.





