Kryeministri Rama ka mbledhur dje kryesinë socialiste, në një takim të përjavshëm tashmë që pas vendimit të marrë në Asamblenë Kombëtare.

Mbledhja e djeshme nuk i ka shpëtuar situatës së re politike në vend, pas dorëzimit kolektiv të mandateve të deputetëve të opozitës.

Mësohet se përveç porosive për të mos u bërë pjesë e debateve televizive me deputetët e opozitës, kreu i PS-së ka kërkuar vijimin e aktivitetit parlamentar, por dhe atij partiak në funksion të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Ne do të vijojmë aktivitetin tonë parlamentar, në komisione dhe në seancë plenare pa asnjë pengesë. Ata kanë bërë zgjedhjen e tyre, nuk do të na bllokojnë dot në punën tonë dhe në përgjegjësinë që kemi ndaj qytetarëve tanë, atyre që na kanë votuar dhe atyre që nuk na kanë votuar. Të vijojmë përgatitjet në çdo bashki për zgjedhjet vendore”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri Rama në mbledhjen e kryesisë.

Në mbledhjen e kryesisë socialiste kanë marrë pjesë edhe ministrat e rinj të emëruar nga Kryeministri pas protestës së studentëve. Për shkak se ata nuk janë anëtarë të kryesisë, ata marrin pjesë si në mbledhjet e kryesisë, por dhe të Grupit Parlamentar dhe japin sqarime për çështje që lidhen me ministritë që mbulojnë. Kryeministri Rama, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës, ka dhe një porosi për deputetët dhe ministrat e tij.

Kreu i qeverisë i ka porositur të gjithë deputetët dhe ministrat e tij që të mos dalin në asnjë studio televizive me ish-deputetët e opozitës, pas vendimit të tyre për të djegur mandatet.

Sipas “News 24”, në këtë porosi Rama është shprehur ndër të tjera se “ata janë një grusht politikanësh pa norma” dhe se “askush të mos të dalë më në asnjë studio TV me të ikurit”. “Ata s’janë më pala tjetër e Parlamentit, po një grusht politikanësh pa norma, që meritojnë përbuzjen e votuesve të tyre dhe refuzimin tonë për të debatuar me ta jashtë Parlamentit”, mësohet të ketë thënë Rama.

Sipas tij, tani që deputetët e opozitës nuk kanë më foltoren e Parlamentit, pas lënies së mandateve, do të mundohen të krijojnë debate të sforcuara në media dhe ne nuk kemi pse të bëhemi pjesë e këtij dekori. Ne flasim me fakte, shifra dhe raporte në Parlament, aty ku na kanë besuar shqiptarët. Ata le të debatojnë me veten e tyre”, mësohet të ketë vijuar Rama në këtë takim. “Për sharjet e shpifjet e tyre ata s’kanë nevojë për ne dhe kështu kontribuojmë kundër ndotjes së mjedisit publik me debate shterpë pa asnjë vlerë”, ka shpjeguar kryesocialisti.

PANORAMA