Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore e spiunëve të dyshuar të arrestuar në uzinën e armëve në Gramsh.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se 24-vjeçari rus Michail Zorin, ka marrë pjesë në disa demonstrata në Rusi dhe për këtë arsye ai është përndjekur nga shërbimit e inteligjencës ruse, të cilat e kanë zbuluar se ai ka qenë student për kimi në Çeki.
Sipas Lalës, shërbimet e inteligjencës pasi e kanë gjetur i kanë dhënë si detyrë të bëjë matjet e disa zonave ushtarake në Shqipëri dhe t’i informojë mbi gjendjen aktuale të tyre.
“Pas largimit ai është përndjekur nga shërbimi inteligjent rus dhe i ka deklaruar se nuk ka pse të largohet dhe se e dinin që ndodhej në Çeki dhe se kishin informacion për pjesëmarrjen në demonstrata. ‘Nuk na shpëton dot’, mësohet t’i jenë drejtuar 24-vjeçarit. Ai ka thënë se është kontaktuar nga Shërbimet inteligjente ruse për të bërë një njohje të zonës. Konkretisht ai ka pasur detyrë që të bëjë njohjen, matjen e disa zonave, rikonjicion. Pra, ka pasur detyrë të bëjë matjen dhe fotografimin e asaj që njihet infrastruktura kritike civile në Shqipëri dhe gjendjen aktuale të tyre.
Sipas të dhënave të përftuara nga pajisjet e filmimit, rezulton që ai ka fotografuar disa nga HEC-et dhe veprat energjetike në vend, në veri të vendit, në Moglicë, por edhe në disa qytete. Gjatë gjithë kohës rezulton që të ketë fjetur në çadrën e tij, në kampingje, ndërkohë ka qëndruar dhe në Tiranë në disa banesa. Ai ka pasur vetëm 1000 dollarë që ka hyrë në Shqipëri. 600 i janë sekuestruar gjatë momentin të ndalimit ndërsa 400 të tjera thotë se i ka shpenzuar gjatë kohës së qëndrimit në vendin tonë. Pjesa tjetër e dëshmisë së Zorin mbahet sekrete”, raportoi gazetarja Klodiana Lala.