Goditet një tjetër tentativë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Portin e Durrësit. Arrestohet në flagrancë drejtuesi i një autobusi dhe shpallet në kërkim pronari i mjetit që do të transportonte 207 kg kanabis sativa drejt Italisë.
Zbulimi i këtij rasti u bë mbrëmjen e djeshme, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e uniformave blu. Sasia prej 207 kg e ndarë në 180 pako, ishte fshehur në një vend të përshtatur në pjesën e rrotave të pasme të autobusit.
Është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit, shtetasi J. Muçalijaj 43 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e pronarit të mjetit, E.S. 38 vjeç, banues në Tiranë.
“Më datë 14.06.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, në mjetin autobus, tip “Skania” me drejtues shtetasin J.Muçalijaj, pas një analize risku të hollësishme dhe verifikimeve të tjera speciale nga Specialistët e Kontrollit u konkludua se ne në brendësi të tij dyshohej te kishte lëndë narkotike. Ata vendosen për verifikim më të hollësishëm dhe kthyen autobusin per kontroll në Skaner. Në përfundim u konkludua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva”, njofton policia.
Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.





