Të mbyllet kampionati me një mesatare prej 50 mijë tifozësh.Përveç rikthimit me “detyrim” në Ligën e Kampionëve, ky është objektivi i vendosur nga klubi zikaltër. Dhe, duke konsideruar të dhënat nga të pranishmit në “San Siro”, duket absolutisht i arritshëm. Do të thoshte arritja e një totali prej 950 mijë spektatorësh të shpërndarë në 19 ndeshjet e programuara në “shtëpi”. Po atëherë, përse të mos synohen 1 milionë për ta rrumbullakosur? Një hap i madh, duke marrë në konsideratë faktin se sezonin e kaluar kuota ishte e ndalur në 46 mijë për ndeshje.
Në sajë të rezultateve të shkëlqyera të arritura nën drejtimin e Luçiano Spaletit, ka pasur një rritje konstante të shikuesve në shkallët e “San Siro”-s gjatë sfidave të fundit. Nga kjo pikëpamje, sezoni ka nisur si mos më mirë. Mes Fiorentinës, Spalit e Xhenoas, në fakt, klubi zikaltër ka arritur të mbledhë së bashku thuajse 160 mijë të pranishëm, nëpërmjet shitjes së biletave dhe abonentëve. Ndërkaq, ndeshja e radhës do të jetë derbi dhe në “San Siro” biletat janë ezauruar: totali për zikaltrit do të arrijë në 240 mijë, e thënë ndryshe 60 mijë për ndeshje.
Trendi pozitiv ka nisur në sezonin 2014-15 (mesatarisht 40 mijë tifozë për ndeshje) dhe është përsëritur në dy vitet pasardhëse. Herën e fundit që në një ndeshje të zikaltërve paraqiteshin rregullisht 50 mijë tifozë, ka qenë sezoni 2010-’11 (më shumë se 60 mijë prezentë), ose më saktë periudha pas “Tripletës”. Tashmë këto shifra nuk janë më mirazh. Te drejtuesit zikaltër qëndron bindja që, përtej fitoreve të skuadrës, një “San Siro” më modern, do të joshte më shumë tifozë. Ka prej kohësh një projekt, i frenuar momentalisht nga vonesat e Milanit. Në fillim të tetorit pritet një tjetër takim në Komunën e Milanos.





