DURRËS, 1 nëntor 2014–  Paralajmërimi ishte dhënë që në gusht nga ministri rus i Sportit, Vitaly Mutko, i cili kishte deklaruar, “Capello nuk merr pagën që para fillimit të Botërorit”. Më i pasuri i trajnerëve të përfaqësueseve me një pagë prej 8.45 milionë Eurosh në sezon, punon gratis prej 5 muajsh dhe tani po i soset durimi “Jam shumë pranë kufirit, shumë pranë,” ka deklaruar ish trajneri i Milanit, Romës, Juventusit dhe Realit, sic bëjnë të ditur mediat ruse. Në këtë mënyrë Fabio Capello i ka lëshuar një lloj ultimatum Federatës: Nëse nuk shlyhen detyrimet financiare, trajneri italian mund të vendosë që të largohet nga drejtimi i kombëtares. Pagën nuk e merr prej 5 muajsh, para se të niste aventura e dështuar në Brazil, por gjithsesi Capello ka deklaruar se shpreson që të gjendet shpejt një zgjidhje për këtë problem.

Paga e madhe e trajnerit të përfaqësueses është bërë prej kohësh objekt i polemikave dhe diskutimeve të ashpra në rusi. Pas Kupës së Botës, parlamentari i opozitës, Vladimir Zhirinovksi, shkoi deri aty sa e përkufizoi Capellon një hajdut, ndërkohë që një tjetër parlamentar kërkoi që italiani të kthente pas paratë që kishte marrë nga Federata. Capello ka përsëritur se ai nuk punon vetëm për para, por ndërkohë ekipi i drejtuar prej tij, Rusia ka fituar vetëm një nga 7 takimet e fundit që ka zhvilluar dhe madje u kritikua edhe nga ministry i sporteve. Don Fabio tani pret me padurim që t’i japin pagat e prapambetura. Kontrata e tij skadon në 2018, kur Rusia të presë Kupën e saj të parë të Botës.