Projekti për transformimin e Stadiumit “Niko Dovana” në Durrës është anuluar për shkak të mungesës së ofertave nga investitorët.

Njoftimi është bërë nga Korporata Shqiptare e Investimeve, e cila sqaroi se procedura u anulua pasi “nuk u paraqit asnjë aplikant në datën dhe orën e caktuar”.

Projekti për stadiumin e Durrës ishte hartuar nga studioja belge 51N4E në bashkëpunim me Plan Común. Për hartimin e masterplanit të kompleksit sportiv dhe zhvillimin multifunksional të zonës përreth, Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte lidhur një kontratë me vlerë 36.8 milionë lekë (rreth 344 mijë euro).

Sipas planit, kompleksi do të përfshinte stadiumin e ri, fusha stërvitjeje për futboll dhe basketboll, dy pishina,një të brendshme dhe një të jashtme, si dhe hapësira të gjelbëruara për komunitetin. Rreth stadiumit parashikohej ndërtimi i qendrave kulturore e sportive, hoteleve, zyrave dhe qendrave tregtare.

Ndërkohë, për të njëjtën arsye janë anuluar edhe projektet për stadiumet në Vlorë dhe Korçë, pasi nuk pati interes nga investitorët.

Thirrjet për këto projekte u hapën në korrik 2025 dhe afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave ishte 30 shtatori i po atij viti. Megjithatë, vetëm tani, disa muaj më vonë, është bërë publik fakti që procedurat kanë dështuar.

Mëposhtë video e projektit final sesi do të transformohej zona përreth stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit, publikuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve në gusht të 2025.